Site icon Telegrafi

Pas protestës së PSD-së, reagon Qeveria: Kishte përpjekje për ta eskaluar protestën

Pas protestës së sotme, të organizuar nga Partia Socialdemokrate (PSD) kundër shtrenjtimit të rrymës, ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Kryeziu, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se kishte përpjekje për ta eskaluar protestën.

“Përkundër përpjekjeve për ta eskaluar protestën, ajo ishte paqësore. Për këtë i falënderojmë organet e rendit për profesionalizmin dhe durimin”, ka shkruar Kryeziu, transmeton Telegrafi.

Ai me këtë rast ka pasur nëj falënderim edhe për qytetarët, për siç thotë, mbështetjen ndaj Qeverisë.

Lexo po ashtu Përfundon protesta, poça elektrik dhe qirinj u hodhën në drejtim të Qeverisë

“Gjithashtu i falënderojmë qytetarët për mbështetjen ndaj qeverisë, teksa po angazhohemi që të zbusim sa më shumë ndikimin tek ta të krizës globale energjetike”.

PSD sot në Prishtinë ka organizuar një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”, qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë.

Protestuesit janë nisur nga sheshi Zahir Pajaziti dhe janë grumbulluar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Protesta e PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës përmes fotografive

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se propozimi i ZRRE-së duhet të kthehet mbrapa, pasi në të kundërtën do të ketë protesta çdo ditë.

Në shenjë revolte aktivistët e PSD-së kanë hedhur qirinj dhe poçe elektrike në drejtim të objektit të Qeverisë. /Telegrafi/

Exit mobile version