Telegrafi

Reagon PSD: Polici e dhunshme dhe jo profesionale

Zëdhënësja e Partisë Socialdemokrate, Natyra Kuçi, ka reaguar pas protestës së sotme për shtrenjtimin e energjisë elektrike, duke e akuzuar Policinë e Kosovës si të dhunshme dhe jo profesionale.

Reagimi i PSD-së vjen pasi Policia e Kosovës ka raportuar se në përplasjen e sotme me protestuesit para dyerve të Qeverisë janë lënduar tre zyrtarë policorë.

Kuçi në një postim në Facebook ka shkruat se shkallët e ndërtesës së Qeverisë nuk kanë pse të mbrohen.

“Hapësira i takon qytetarit. Objektet janë të burokratëve të bllokuar, hapësira është e qytetarëve të lirë”, ka thënë ajo.

Postimi i plotë i zëdhënëses së PSD:

“Polici e dhunshme dhe joprofesionale. Qeveri qe nuk perfaqeson. Shkallet e nderteses se Qeverise nuk ka pse te mbrohen. Hapesira i takon qytetarit. Objektet jane te burokrateve te bllokuar, hapesira eshte e qytetareve te lire. Ajo duhet te jete e lire, ne secilen proteste pavaresisht kush e organizon. Taktikat selektive perbejne diskriminim.

Nuk ka kush qe e frenon fuqine e drejtesise se njerezve te angazhuar!” (sic.), ka shkruar Kuçi.

Gjatë protestës së sotme për shtrenjtimin e rrymës përpara Qeverisë së Kosovës, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj e ka goditur me shuplakë në fytyrë një pjesëtar të Policisë së Kosovës.

Lexo po ashtu Protesta para Qeverisë, momenti kur Molliqaj godet shuplakë policin

Policia e Kosovës përmes një komunikate ka njoftuar se tre zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore gjatë protestës që e organizoi Partia Socialdemokrate sot në Prishtinë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Policia tutje shton se “disa nga pjesëmarrësit kanë shpërfillur urdhërat e zyrtarëve policor, të cilët përtej hudhjes së gjësendeve të ndryshme, me veprimet dhe sjelljet e tyre u kanë shkakuar lëndime të lehta tre zyrtarëve policor që ishin në kryerje të detyrës zyrtare”.

Lexo po ashtu Policia: Gjatë protestës së PSD-së kundër shtrenjtimit të rrymës janë lënduar tre policë

Ndryshe, në përpjekje për të mbajtur fjalim në shkallët para dyerve të objektit të Qeverisë, kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, sot është filmuar duke qëlluar me shuplakë një zyrtar policor.

PSD sot ka organizuar në Prishtinë protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Me mbishkrimet, ”Ju e rrisni çmimin, ne rezistencën”, “Krejt rrogat në rrymë”, “Krejt dhe shtrenjtë”, “Lypëm dritë, gjetëm terr” dhe thirrjet “Populli i bashkuar ka për të fituar”, qytetarët kanë shprehur pakënaqësitë e tyre ndaj propozimit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE) për tarifat e reja të energjisë.

Protestuesit janë nisur nga sheshi Zahir Pajaziti dhe janë grumbulluar para objektit të Qeverisë së Kosovës.

Kryetari i PSD-së, Dardan Molliqaj, ka thënë se propozimi i ZRRE-së duhet të kthehet mbrapa, pasi në të kundërtën do të ketë protesta çdo ditë.

Në protestë  kanë marrë  pjesë rreth 3 mijë  protestues.

Pas protestës së sotme ka reaguar zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu, i cili ka thënë se kishte përpjekje për ta eskaluar protestën. /Telegrafi/