Ministri i Mbrojtjes i Izraelit thotë se ka udhëzuar ushtrinë që të përgatisë plane që një numër i madh palestinezësh të largohen nga Rripi i Gazës në përputhje me propozimin e presidentit Donald Trump, për territorin e shkatërruar nga lufta.
Ministri i Mbrojtjes, Israel Katz tha të enjten se plani “do të përfshijë opsione për dalje në vendkalimet tokësore, si dhe marrëveshje të veçanta për dalje nga deti dhe ajri”, transmeton Telegrafi.
Ai tha se e mirëpriti “planin e guximshëm të Trump, i cili mund të lejojë një popullsi të madhe në Gaza të largohet në vende të ndryshme në botë”.
Ai nuk tha nëse palestinezët do të mund të kthehen një ditë në Gaza, e cila është bërë kryesisht e pabanueshme nga fushata ushtarake 15-mujore e Izraelit kundër Hamasit.
Trump të mërkurën propozoi që shumica e popullsisë së Gazës të zhvendoset “përgjithmonë” diku tjetër, ndërsa Shtetet e Bashkuara të rindërtojnë territorin.
Zyrtarët amerikanë më vonë thanë se zhvendosja do të ishte vetëm e përkohshme, por palestinezët kanë frikë se Izraeli nuk do t’i lejonte kurrë të kthehen, duke thelluar dhe përjetësuar një krizë refugjatësh që daton që nga krijimi i shtetit.
Plani i Trump u refuzua nga palestinezët dhe pjesa më e madhe e komunitetit ndërkombëtar. Grupet e të drejtave thanë se kjo do të përbënte zhvendosje të dhunshme në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar. /Telegrafi/