Komunat e Prishtinës, Fushë-Kosovës dhe Skenderajt kanë vendosur të ndalojnë përdorimin e doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” në shkollat e tyre, duke argumentuar se përmbajtja e tyre është e papranueshme dhe e dëmshme për fëmijët.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prishtinës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka marrë vendim për ndalimin e përdorimit të doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” për klasat 1-5, 6-9 dhe 10-12 në shkollat e Prishtinës.
Përmes një postimi në Facebook, ajo u ka bërë thirrje të gjitha komunave të ndërmarrin hapa të ngjashëm për të ndaluar përdorimin e këtyre materialeve në institucionet e tyre arsimore.
Sipas Lushaku-Sadriut, përmbajtja e doracakëve përbën një trajtim të papranueshëm të familjes kosovare dhe është një skandal që një material i tillë është miratuar nga Ministria e Arsimit.
“Është e paprecedentë, se si ky pushtet po keqtrajton familjen kosovare. Është skandaloze se si Ministrja në pushtet në krye të të vetmit institucion përgjegjës për tekstet mësimore ka aprovuar dhe ka promovuar material me përmbajtje perverse”, ka shkruar Lushaku Sadriu në një postim në Facebook.
Një vendim të ngjashëm ka marrë edhe Komuna e Fushë-Kosovës, e cila ka deklaruar se përmbajtja e doracakëve është “e dëmshme dhe abuzuese për fëmijët.”
Në njoftim theksohet se drejtoria e arsimit në këtë komunë ka ngritur shqetësime mbi përmbajtjen e doracakëve gjatë diskutimeve me Ministrinë e Arsimit, duke përmendur aktivitete praktike që përfshijnë prekje për fëmijët nën moshën adekuate.
“Fatkeqësisht, kjo qeveri nuk ka marr për bazë vërejtjet dhe shqetësimet e arsyeshme të shprehura nga zyrtarët kompetent të fushës së arsimit e përfaqësuesve të prindërve dhe përmbajta si e tillë e miratuar nga MASHT është e dëmshme dhe e papranueshme”, theksohet në njoftimin e Fushë Kosovës.
Sipas përfaqësuesve të Fushë-Kosovës, ky vendim është marrë për të mbrojtur interesat e nxënësve dhe prindërve të komunës.
Në mënyrë të ngjashme, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Skenderajt ka vendosur ndalimin e përdorimit të doracakëve “Edukimi Seksual dhe Shëndeti Riprodhues” në të gjitha shkollat e saj.
Drejtori për Arsim, Kastriot Duraku, ka shpjeguar se vendimi është marrë në bashkëpunim me mësimdhënësit dhe drejtorët e shkollave, dhe se ky material është konsideruar degradues për vlerat e familjes kosovare.
“Vendimi ka të bëjë me degradimin e familjes kosovare nga ana e institucioneve përgjegjëse, dhe si i tillë nuk do të përdoret në asnjë institucion arsimor në komunën e Skenderajt deri në revidimin e tij”, thuhet në njoftimin e Komunës së Skenderajt.
Komuna e Skenderajt ka njoftuar se doracakët nuk do të përdoren deri në një rishikim të përmbajtjes së tyre./Telegrafi/