Telegrafi

Pas përplasjeve, kryesia e LDK-së vendos që Borovci e Abrashi të tërhiqen nga gara për kryetar të degës

Në mbledhjen e sotme të Kryesisë së LDK-së, të udhëhequr nga kryetari Mustafa, mes tjerash, u analizua edhe situata e krijuar në disa degë të LDK-së gjatë procesit zgjedhor.

Sipas njoftimit për media në këtë mbledhje, theks i veçantë i është kushtuar zhvillimeve të fundit në Degën III në Prishtinë, me ç’rast kryesia rithekson se sjelljet e dhunshme dhe pamjet e tilla janë mënyra dhe metoda të papranueshme për LDK-në.

“Duke analizuar situatën e krijuar, Kryesia e LDK-së morri vendim që Hazir Borovci dhe Arban Abrashi, të përmendur në teren për kryetar të Degës III në Prishtinë, të tërhiqen nga gara për kryetar të Degës, me qëllim që t’i kthehet normaliteti procesit të zgjedhjeve brenda LDK-së. Me pjesën e mbetur të procesit zgjedhor në Degën III do të udhëheqë Kryesia Qendrore e LDK-së”, thuhet në njoftim, përcjell Telegrafi.

Lexo po ashtu ​Pamje të reja nga përleshja në nëndegën e Matit (Video)

Ndryshe rasti më i freskët i përleshjeve në degët e kësaj partie ndodhi në një shkollë në fshatin Koshare, në Ferizaj, ku teksa mbahej procesi zgjedhor aktivistët janë fjalosur dhe janë grushtuar mes vete. Pas kësaj nuk ka vazhduar mbajtja e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie. /Telegrafi/