Presidenti i SHBA-së, Joe Biden dhe kreu i Federatës Ruse, Vladimir Putin zhvilluan sot një takim përmes videolidhjes, ku fokusi i bisedimeve ishte zgjidhja e krizës në Evropën Lindore.
Sipas Shtëpisë së Bardhë, Putin dhe Biden kishin në agjendë kryesisht temat që lidhen me sigurinë dhe stabilitetin në Evropën Lindore, përkatësisht zonat në kufirin ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë, ku janë regjistruar tensione në javët e fundit.
“Presidenti Biden shprehu shqetësimin e thellë të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve tanë evropianë për praninë e forcave ruse rreth Ukrainës gjersa bëri të qartë se Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre do t’i përgjigjen ekonomikisht dhe do të ketë masa të tjera në rast të përshkallëzimit ushtarak”, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Ajo gjithashtu thekson se Biden ripërsëriti mbështetjen për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe bëri thirrje për de-përshkallëzimin dhe kthimin e aktivitetit diplomatik.
“Të dy presidentët udhëzuan ekipet e tyre për të monitoruar situatën dhe Shtetet e Bashkuara do ta bëjnë këtë në koordinim me aleatët dhe partnerët e saj. Presidentët diskutuan gjithashtu rreth dialogut SHBA-Rusi rreth çështjeve të sigurisë kibernetike. Ata gjithashtu diskutuan rreth veprimeve të përbashkëta për çështjet rajonale siç është Irani”, shkruan në deklaratë.
Pas video-takimit me homologun e tij rus, Putin, Biden do të ketë biseda telefonike me liderët e Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Britanisë së Madhe, njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Biden do të zhvillojë bisedime me presidentin francez, Emmanuel Macron, kancelaren gjermane në largim, Angela Merkel dhe kryeministrat e Italisë dhe Britanisë së Madhe, Mario Draghi dhe Boris Johnson. /Telegrafi/
.@POTUS held a secure video call with President Putin of Russia today to discuss a range of topics in the U.S.-Russia relationship, including our concerns about Russian military activities on the border with Ukraine, cyber, and regional issues. pic.twitter.com/VKdjJhwnhe
— The White House (@WhiteHouse) December 7, 2021