Ministri i Jashtëm i Rusisë ka thënë se Rusia nuk dëshiron një luftë pasi Uashingtoni paralajmëroi se Moska mund të pushtojë Ukrainën muajin e ardhshëm.
Sergej Lavrov u tha mediave ruse të premten se Kremlini nuk po kërkon konflikt me Kievin, por ritheksoi se Moska nuk do të lejojë që interesat e saj të sigurisë të injorohen.
“Nuk do të ketë luftë për aq sa varet nga Federata Ruse, ne nuk duam një luftë”, tha ai në një intervistë të drejtpërdrejtë me stacionet radiofonike ruse, raporton aljazeera.
Të enjten, Shtetet e Bashkuara dhe NATO iu përgjigjën kërkesave gjithëpërfshirëse të sigurisë të Rusisë që u ngritën në dhjetor pasi Moska ndërtoi trupa pranë kufirit me Ukrainën.
Kryesisht, Rusia dëshiron që NATO kurrë të mos pranojë anëtarësimin e Ukrainës në aleancës më të madhe ushtarake.
Rusia tha se përgjigjet i dhanë pak arsye për optimizëm sepse “nuk kishte përgjigje pozitive për pyetjen kryesore”, por mund të shërbente si pikënisje për bisedimet mbi “pyetjet dytësore”.
Ndryshe, shteti rus tashmë thuhet se ka dërguar mbi 100 mijë trupa ushtarake në kufirin me shtetin e Ukrainës /Telegrafi/