Site icon Telegrafi

Pas orëve të gjata të maltretimit, lirohen disa autobusë me kosovarët e ndaluar në kufirin Serbi-Kroaci

Mbi 300 qytetarë të Kosovës që  kishin mbetur të bllokuar në pikën kufitare Serbi-Kroaci, tashmë janë liruar.

Kështu ka bërë të ditur për Telegrafin njëri nga zyrtarët e kompanive të autobusëve që ndodhen atje.

“Po jemi liruar na të dy anët edhe nga Kroacia për në Serbi dhe anasjelltas”, tha shkurt ai.

Lexo po ashtu Qytetarët e Kosovës po ndalohen edhe në kufirin serb me Hungarinë, MPJD: Hakmarrje e paralajmëruar nga Vuçiqi, e kemi njoftuar QUINT-in dhe BE-në

Dhjetëra autobusë nga Kosova që nga orët e vona të së martës e deri më tani kanë qenë të bllokuar nga Serbia në kufirin me Kroacinë, duke mos i lejuar që të vazhdojnë tutje.

Gjatë gjithë kësaj kohe, disa prej qytetarëve të ndaluar janë marrë në pyetje nga autoritetet serbe për “verifikim”.

Ky veprim i Serbisë nxiti reagime të shumta. Kryeministri Albin Kurti ka thënë se me këto veprime, Serbia po hakmerret ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës që i hap rrugë anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë.

Edhe Bashkimi Evropian ka thënë se Serbia shkeli Marrëveshjen e Lëvizjes së Lirë.

Për bllokim të qytetarëve nga Kosova është raportuar edhe në kufirin mes Serbisë dhe Hungarisë. /Telegrafi/

 

Exit mobile version