Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca ka folur për episodin e sotëm që ndodhi në mbledhjen virtuale të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Konjufca, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka komentuar debatin e sotëm në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara kur Rusia e Serbia bënë shumë bujë për flamurin e Kosovës.
“Ai është flamuri i Republikës së Kosovës dhe në si Qeveri e Republikës së Kosovës e mbrojmë atë flamur”, tha ai, përcjell Telegrafi.
Ministri në Detyrë i punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se edhe në kohën që ka qenë në opozitë e ka mbrojtur flamurin e Kosovës.
“Kam mbrojtur flamurin e Kosovës nëpër të gjitha konferencat ndërkombëtare ku isha pjesë e delegacioneve shtetërore”.
Konjufca thotë se simbolet e Kosovës duhet të mbrohen pavarësisht mënyra se si kanë ardhur.
“Në raport me Serbinë dhe atyre që dëshirojnë ta mohojnë shtetin e Kosovës ne duhet ta mbrojmë flamurin e Kosovës dhe t’ia japim dinjitetin e merituar”.
Konjufca thotë se vendosjen e flamurit derisa fliste në mbledhjen e Këshillit të Sigurimit e ka bërë qëllimisht pasi flamuri i Kosovës nuk lejohet të jetë prezentë në OKB./Telegrafi/