Site icon Telegrafi

Pas ndërprerjes së ngrohjes nga “Termokosi”, Rama: Po e trajtojmë këtë çështje me seriozitet

Foto: Telegrafi

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka reaguar pas ndërprerjes së ngrohjes nga “Termokosi”, duke thënë se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm.

Rama ka thënë se me shqetësim e ka marrë informatën për ndërprerjen e ngrohjes për qytetarët e Prishtinës, të cilët kanë qasje në ngrohjen termike të “Termokosit”.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se është në komunikim të vazhdueshëm me institucionet përkatëse për zgjidhjen e situatës së krijuar.

“Ndërprerja e ngrohjes qendrore në Prishtinë, ka ardhur si pasojë e avarive në njësinë B1 të KEK-ut. Kam marrë siguri se kjo çështje do të rregullohet deri nesër”, ka shkruar Rama në një postim në Facebook.

Lexo po ashtu Ndërpritet furnizimi me ngrohje në Prishtinë

“Duke ju kërkuar mirëkuptim, ju siguroj se Komuna e Prishtinës po e trajton këtë çështje me seriozitet dhe do të ndërmarrim të gjithë hapat e nevojshëm që varen nga ne”, ka thënë ai, transmeton Telegrafi.

“Termokos” ka njoftuar sot konsumatorët se për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga KEK-u, janë të detyruar që të ndërpresim furnizimin me ngrohje për gjithë konsumatorët.

“Termokos” njofton se aktualisht, me ngrohje janë duke u furnizuar vetëm klinikat e QKUK-së nëpërmes ngrohtores, që gjendet në hapësirat e kësaj qendre spitalore.

Ndërsa”Termokos njofton se ka ndërprerë furnizimin me ngrohje për shkak të pamundësisë për t’u furnizuar me avull nga Korporata Energjetike e Kosovës.

Kjo e fundit ka reaguar duke thënë se, sipas planeve njësia B1 pritet të kthehet në prodhim nesër në mëngjes, kur edhe do të krijohen kushtet për furnizimin e “Termokosit” me avull për ngrohje qendrore.

Këshilli për Mbrojtjen e Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNj) ka reaguar pas ndërprerjes së ngrohjes për qytetarët e Prishtinës nga “Termokosi”, duke e vlerësuar si një veprim të papërgjegjshëm dhe të dënueshëm./Telegrafi/

Exit mobile version