Telegrafi

Pas temperaturave përvëluese, Kosova përfshihet nga stuhi shiu e breshëri

Pas temperaturave të larta, pasditën e së dielës, Kosova është përfshirë me mot të ndryshueshëm.

Nga pamje të siguruara nga qytetarët, të publikuara në faqen “Meteo Kosova”, shihet se në disa lokalitetet pos stuhisë së shiut ka rënë edhe breshër.

Breshëri ka prekur Komunën e Malishevës, Lipjanit etj.

Ndërkaq sipas ‘Prishtina Weather’, vala e nxehtësisë do të vazhdojë të mbretërojë edhe javën e fundit të muajit korrik, megjithë luhatjet e temperaturave maksimale, por që në përgjithësi mbetet mbi vlera prej 30C.

Do të ketë kthjellime dhe intervale më të gjata me diell, e ditën e mërkurë dhe të enjte priten kushte edhe për zhvillime të rrebesheve me bubullima.

Nivelet e koncentrimeve të ozonit sipërfaqësor edhe këto ditë do të jenë në vlera të rritura, që edhe vendosin indeksin e cilësisë së ajrit në vlera mesatare dhe të dobëta.

Ndërkohë që koncentrimet e grimcave të materies parashihet të jenë në vlera të pranueshme dhe të mira.

Në nivele të rrezikut shumë të lartë do të jetë edhe indeksi i rrezeve ultraviolete, ndaj orëve të mesditës rekomandohet t’i ikim ekspozimit më të gjatë ndaj rrezeve të diellit.

25.07 – Nxehtë, kryesisht me diell.

26.07 – Kryesisht me diell e shumë nxehtë.

27.07 – Mbetet nxehtë, kryesisht me diell. Pasdite më vonë priten edhe zhvillime të rrebesheve me bubullima.

28.07 – Nxehtë dhe zagushi, me diell e vransira. Pasdite rrebeshe shiu me bubullima.

29.07 – Kryesisht me diell e nxehtë.

Temperaturat minimale luhaten ndërmjet 18C e 22C, e ato maksimale ndërmjet 32C e 36C.

Erërat frynë kryesisht nga veriu e verilindja, lehtë dhe mesatare 3-9m/s, të martën e të enjten edhe nga jugperëndimi.

Shtypja atmosferike në rënie, deri të martën edhe nën vlera normale, më pas me tendencë të rritjes./Telegrafi/