Telegrafi

Pas marrëveshjes së Ohrit, kërkohet shqyrtimi i aplikimit të Kosovës në KiE

Kryetari i Iniciativës Evropiane të Stabilitetit (ESI), Gerald Knaus, ka bërë thirrje që Këshilli i Evropës ta shqyrtojë aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm.

Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshill të Evropës më 12 maj të 2022-së, ndërsa nuk ishte përfshirë në agjendë të Komitetit të Ministrave të KiE-së që ishte mbajtur më 20 maj, transmeton Telegrafi.

Lexo po ashtu A janë siguruar votat në Këshillin e Evropës, analistët: Vonesat në procesin e anëtarësimit nuk janë lajm i mirë për Kosovën

Edhe pse Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka mohuar se procesi i anëtarësimit ka dështuar, njohësit e fushës kanë thënë se vonesat në këtë proces nuk janë lajme të mira për vendin.

E përfaqësuesi i Britanisë së Madhe, John Howell, në seancën e Asamblesë Parlamentare pati deklaruar se aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk duhet të mbahet peng i përparimit të dialogut me Serbinë.

Ndërsa, tani pas arritjes së marrëveshjes mes dy vendeve për normalizimin e raporteve që ndodhi më 18 mars në Ohër, kryetari i ESI ka thënë se nuk ka kuptim të insistohet për të drejtat e pakicave në Kosovë e të mos dëshirohet shtrirja e mbrojtjes së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut – mekanizëm i Këshillit të Evropës – për të gjithë kosovarët.

“A do të dërgohet aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së tani? Nuk ka kuptim të këmbëngulet për të drejtat e pakicave në Kosovë e të mos dëshirohet shtrirja e mbrojtjes së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për të gjithë qytetarët”, ka shkruar Knaus në rrjetin social Twitter.

Ndërsa ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Petrit Selimi, e ka cilësuar si ‘shurdhuese’ heshtjen që po mbizotëron për këtë çështje.

“Do të doja të dëgjoja një të dërguar të vetëm evropian, ambasador, diplomat, ndihmës, praktikant të thotë me zë të lartë dhe qartë: Po, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës tani është i garantuar”, ka shkruar Selimi në Twitter. /Telegrafi/