Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se marrëveshja me Lëvizjen Vetëvendosje u bë sepse ishte vullnet qytetar, i shumicës së votuesve që më 6 tetor kanë folur qartë.
Ai ka deklaruar se marrëveshja u arrit sepse idetë që i bashkojnë këto dy parti, janë më të shumta se ato që i ndajnë.
“E partnerët e matur e serioz, në kohë të vështira, zgjedhin gjuhën e rrugën bashkë. Të dy palët e duam një Kosovë të jetueshme, për vete, për fëmijët e për prindërit e tanë. Të dy palët po i japim Kosovës institucione që do t’i dalin vendit zot – brenda e jashtë”, ka shkruar ai në profilin e tij në Facebook, transmeton Telegrafi.
Abdixhiku ka deklaruar se tani është humbur kohë mjaft, por që kanë ide të qarta përpara.
“Puna e vërtetë fillon tash. Nga sot, asnjërin mbështetës s’guxojmë ta dëshpërojmë, e secilin skeptik duhet ta bindim ndryshe. Kosova është e të gjithëve”, vijon shkrimi i tij.
Qeveria Kurti, do t’i ketë 15 ministri, 2 zëvendëskryeministra dhe 33 zëvendësministra./Telegrafi/