Site icon Telegrafi

Pas luftës u fotografua me ushtarin italian në Gjakovë, 21 vite pas kërkon ritakim për një foto tjetër – e ndihmon shteti italian

Shpend Lila qytetar nga Kosova, në ditën e çlirimit të Kosovës, në një postim në Twitter të ministrisë italiane të Mbrojtjes, ka publikuar një fotografi me një ushtar italian përmes të cilës kërkoi ndihmë për ta vënë në kontakt me ushtarin në fotografi.

Pa kaluar shumë ditë, Shpend Lilës i është përgjigjur ministria italiane e mbrojtjes, duke ia bërë me dije se kanë arritur ta gjejnë ushtarin që e ka publikuar në foto, transmeton Telegrafi.

Ata madje i kanë kërkuar informacionet për ta vënë në kontakt me të. E një kërkesë të tillë për ta gjetur ushtarin në fotografi ia kishte bërë edhe ambasadorit italian në Kosovë, Nicola Orlando.

Ai ia bëri me dije se me ndihmën e ministrisë italiane të Mbrojtjes e kanë gjetur ushtarin të cilin ai e kërkonte ta takonte.

“Ambasador, a mund ta gjeni këtë ushtar italian të cilin e kam takuar në Gjakovë në vitin 1999. Do të ishte mirë po ta bënin edhe një foto të tillë”, i kishte shkruar Lila ambasadorit italian.

Mirëpo përveç ambasadorit që ia kumtoi lajmin e mirë, këtë e bëri edhe ministria italiane e mbrojtjes. Ndryshe Lila i cili punon në ICK si menaxher,  është shprehur shumë falënderues për këtë duke shkruar: Faleminderit, Grazie, Thank You”. /Telegrafi/

 

 

 

Exit mobile version