Paulo Dybala mbërriti në fundin e aventurës me Juventusin pas shtatë viteve të kaluar si bardhezi, ku sulmuesi u përshëndet me tifozerinë e tij në “Allianz Stadium”.
Argjentinasi nuk i mbajti lotët në lamtumirën e tij duke nxjerr në pah edhe faktin se ishin drejtuesit e klubit ata të cilët vendosën të ndërprisnin marrëdhënien me sulmuesin argjentinas.
Dybala ka shënuar 115 gola në 291 ndeshje gjatë shtatë sezoneve të tij në klub. Ai ka barazuar Roberto Baggio për golat e shënuar me klubin, duke u bërë një nga 10 golashënuesit më të mirë në historinë e Bianconerëve.
Paulo Dybala was moved to tears after playing his last match at the Allianz Stadium 💔 pic.twitter.com/orheJPClvQ
— CBS Sports Golazo ⚽️ (@CBSSportsGolazo) May 16, 2022
Dybala sot ka përshëndetur nëpërmjet Instagramit tifozët e tij dhe ambientin bardhezi duke shpresuar se në këto sezone të mund t’i ketë dhuruar sadopak kënaqësi.
“Erdha te Juventus në moshën 21-vjeçare ashtu si numri që mbaja në fanellë, në këto vite jam rritur si lojtar dhe si njeri. Kanë qenë vite të bukura, me punë, gola dhe suksese”.
“Por, jo gjithnjë ka shkuar siç e meritonim apo shpresonim. Gjithsesi, ia kemi dalë gjithnjë të ringrihemi dhe falë kësaj skuadre kam përmbushur objektiva të rëndësishëm”.
“Kam gjetur lojtarë special dhe jam ndjerë gjithmonë i dashur nga tifozët, nga njerëzit dhe fëmijët në ambientin e Juventusit”.
“Këtë nuk do ta harroj kurrë. Me kalimin e kohës janë shtuar përgjegjësitë dhe gjithnjë jam munduar të tregohem në lartësinë e duhur. Kam qenë me ju për shtatë vite, shtatë vite të bukura por edhe me momente të vështira”.
“Sot rrugët tona ndahen, por do t’iu mbaj gjithnjë në zemër sepse më keni dhuruar shumë dashuri dhe respekt. Shpresoj t’iu kem dhuruar sadopak kënaqësi”, thuhet në mesazhin e tij Dybala me video. /Telegrafi/