Site icon Telegrafi

Pas lirimit të Assange, Wikileaks publikoi një dokument sekret të inteligjencës izraelite

Vetëm më shumë se një javë pasi Julian Assange u lirua nga burgu në Britaninë e Madhe, duke i dhënë fund një beteje ligjore 13-vjeçare, faqja e internetit që ai themeloi, Wikileaks, publikoi dokumente sekrete nga Ministria e Informacionit e Izraelit, dega e inteligjencës së qeverisë.

Në platformën X, dikur Twitter, Wikileaks ndau një dokument sekret të inteligjencës izraelite nga tetori i vitit 2023, për të cilin pretendon se i referohet një plani izraelit për të dëbuar qëllimisht civilët nga Gaza në Egjipt. Wikileaks thekson se autoritetet izraelite arritën në përfundimin se “një strategji e tillë do të sillte rezultate pozitive afatgjata”.

“Plani parashikon një proces me tre hapa që përfshin ngritjen e vendbanimeve me tenda në Sinai dhe hapjen e një korridori humanitar, e ndjekur nga ndërtimi i qyteteve në veri të Sinait nga të cilat nuk do të ketë më kthim”, shkruan ata në dokument.

Lufta në Rripin e Gazës ka vazhduar për gati nëntë muaj, pasi terroristët e Hamasit pushtuan Izraelin jugor dhe vranë 1139 njerëz, kryesisht civilë, ndërsa rrëmbyen 250 të tjerë dhe i çuan në Gaza. Përgjigja izraelite ishte e ashpër dhe vazhdon ndërsa autoritetet izraelite pretendojnë se nuk do të ndalen derisa të shkatërrojnë Hamasin.

Në sulmet e ushtrisë izraelite në Gaza, vdiqën 35 mijë palestinezë, nga të cilët 56 për qind ishin gra dhe fëmijë. Dhjetëra mijëra të tjerë u plagosën ndërsa Izraeli vuajti kritika për shkelje masive të të drejtave të njeriut, evakuim të detyruar të civilëve dhe disa vende madje akuzuan Izraelin për kryerjen e gjenocidit.

Kujtojmë se Julian Assange, themeluesi i Wikileaks, një ueb-faqe që që nga viti 2006 ka publikuar një sërë dokumentesh konfidenciale të qeverive botërore dhe agjencive të inteligjencës, u kthye në Australi një javë më parë pasi u pajtua me gjykatën dhe u deklarua fajtor për spiunazhin amerikan.

Për vite me radhë, SHBA-ja ka kërkuar ekstradim, gjyq dhe dënim drakonian për Assange për zbulimin e dokumenteve të klasifikuara dhe identitetit të zyrtarëve të inteligjencës amerikane, të cilat sipas saj rrezikonin jetën e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version