Policia e Kosovës sërish ka arrestuar Leutrim Latifin, Kastriot Shalën dhe Rivdan Ademin, të cilët dyshohen se janë përfshirë në disa grabitje të armatosura.
Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin, zëdhënësja e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
“Sot rreth orës 09:00 nga zyrtarët e stacionit policor Veriu në Prishtinë, është zbatuar një aktvendim i Gjykatës së Apelit, ku janë arrestuar tre persona, ndaj të cilëve janë marrë të gjitha veprimet konform akvendimit”, konfirmoi Ahmeti.
Ndryshe, në disa media ishte raportuar se Latifi, Shala dhe Ademi ishin liruar me procedure të rregullt nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më datën 21 shtator.
Kastriot Shala, Leutrim Latifi bashkë edhe me Ridvan Ademin kërkoheshin nga policia që nga tetori i vitit 2018 për disa raste të grabitjeve. Ata madje ishin shpallur nga Policia e Kosovës, si persona shumë të rrezikshëm, për këtë policia pati ofruar edhe shpërblim prej 5000 eurosh për ata që ofronin ndihmë për vendndodhjen e këtij grupi.
Ndonëse ishin në kërkim, ata gjenin kohë edhe të tallen me Policinë e Kosovës përmes disa videove të postuara në Facebook. /Telegrafi/