Telegrafi

Pas lidhjes me Arsenalin, Rodgers thotë se nuk ngutet për t’u kthyer në Ligën Premier

(Foto: Getty Images)

Brendan Rodgers vazhdon të përmendet si njëri prej kandidatëve për ta zëvendësuar Arsene Wengerin te Arsenali, mirëpo trajneri i Celticut nuk po ngutet për t’u kthyer në Ligën Premier.

Irlandezi ka punuar në të kaluarën në kampionatin anglez te klube, si Swansea dhe Liverpooli, ndërsa në sezonin 2013/2015 për pak sa nuk e fitoi titullin me Redsat. Aktualisht, ai është duke punuar në Skoci, ku është duke e drejtuar Celticun që nga viti 2016.

(Foto: Getty Images)

“Nëse je i lumtur, vetëm kjo ka rëndësi. Paratë jo gjithmonë kanë rëndësi. Mund të kesh X para në bankë çdo muaj, por nëse nuk je i lumtur dhe nëse nuk e gjen paqen në atë që bën, nuk kanë rëndësi”.

Lexo po ashtu Të gjitha lajmet për ARSENAL

“Më pëlqen Liga Premier, cilësia e lojtarëve, cilësia e trajnerëve. Ka sfida të mëdha… Mirëpo, unë dua të punoj me njerëz të shkëlqyer që kanë vizion për skuadrën dhe klubin, ndërsa këtë gjë e kam këtu. Nuk po ngutem për të shkuar askund”.

(Foto: Getty Images)

“Celticu është një prej klubeve më të mëdha në botë. Këtu ka një presion që është ndryshe. Duhet ta fitosh secilën ndeshje. Asnjë klub në Angli nuk e ka këtë presion. Mund të shkosh në Old Trafford si trajner i Liverpoolit dhe të arrish barazim, ndërsa ky nuk do të ishte rezultat i keq”.

“Te Celticu pritshmëritë janë të mëdha që të fitosh edhe si vendas edhe si mysafir”, ka deklaruar Rodgers për Daily Mail.

Në ndërkohë raportohet se ish-trajneri i Borussia Dortmundit, Thomas Tuchel, është favorit për t’u angazhuar si trajner i Arsenalit. /Telegrafi/