Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott është shprehur i kënaqur për dhënien e lejes për operim në veri të vendit kompanisë “Drustvo Elektrosever”.
Abbott përmes një statusi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se miratimi i Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë nga Kosova dhe Serbia është një hap i mirëpritur.
“Shumë i kënaqur të dëgjoj se bordi i ERO-së tani ka lëshuar licencë për Elektrosever për të operuar në katër komunat veriore të Kosovës. Miratimi i Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë nga Kosova dhe Serbia ishte një hap i mirëpritur përpara dhe një shembull i mirë se çfarë mund të bëhet me angazhim fleksibël dhe konstruktiv. Pres me padurim vazhdimin e zbatimit të shpejtë dhe përparimin e mëtejshëm në Dialogun e lehtësuar nga BE”, ka shkruar Abbott.
Ndryshe, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) sot ia ka dhënë lejen për operim në veri të vendit kompanisë “Drustvo Elektrosever”.
Në mbledhjen e bordit të ZRRE-së u tha se operimi i kësaj kompanie vlen për Mitrovicën e Veriut, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun për një periudhë pesëvjeçare.
Ndërkaq, Kosova dhe Serbia me ndërmjetësimin e Brukselit kanë arritur të nënshkruajnë të martën Marrëveshjen për Energjinë.
Marrëveshja parashihte që ZRRE-ja t’i lëshojë licencën për furnizim Elektroseverit.
Pas kësaj, Elektroseveri do t’i ofrojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat më të fundit të disponueshme për konsumatorët, përmes BE-së. /Telegrafi/