Site icon Telegrafi

Pas LDK-së, Sami Kurteshi i LVV-së përplaset edhe me komisionerin e AAK-së shkaku i një vote

Vlefshmëria e një vote të prerë poshtë, kishte shkaktuar sherr mes anëtarit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve nga Lëvizja Vetëvendosje Sami Kurteshi dhe një komisioneri të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Anëtari i KQZ-së Sami Kurteshi, gjatë numërimit të fletëvotimeve të ardhura me postë është akuzuar nga koordinatori i vëzhguesve të AAK-së, se ka tentuar për të ndikuar në shpalljen e vlefshmërisë së një vote ani pse ajo kishte qenë e prerë poshtë raporton KosovaPress.

Kjo është mohuar nga ana e Sami Kurteshit i cili tha para mediave se nuk e vendos askush përpos komisionerëve për votën në fjalë dhe se nuk po u bënë presion komisionerëve.

E sipas tij, komisionerët po kryejnë punën me nderë, e nuk kanë nevojë të frikësohen nga anëtarët e KQZ-së, derisa iu ka drejtuar komisionerit në fjalë se mund të ankohet në PZAP.

“Ai thotë është e pavlefshme, por nuk vendos as ti as ai, vendosin ata. Nëse ty ta merr mendja që të është bë e padrejtë, e ke të drejtën e ankesës në PZAP. Llogaritjet nuk mundem me i pa, se ti llogaritë ndryshe unë ndryshe, por prej pozitës të vëzhguesit, nuk vendosi dhe nuk është presion. Kurrkush nuk po iu thotë juve me u ndalë dhe mos me i këqyrë. Unë e kam ndikimin në zyre të KQZ-së, atje e ngriti dorën. Një person që kryen punën me nderë, hiç nuk ka nevojë me u tut prej askujt, ka kaluar ajo kohë”, tha Kurteshi.

Lexo po ashtu LVV dhe LDK përplasen për shkak të një vote

Ndërsa, koordinatori i vëzhguesve të AAK-së, Lavdim Mehani shtoi se të njëjtën votë të prerë poshtë të AAK-së në Deçan, para tre ditësh vëzhguesit e LVV-së kanë insistuar ta shpallin të pavlefshme.

Lavdim Mehani këtë e llogaritë tentim për të ndikuar në votë dhe se do të ankohet në PZAP, njofton KosovaPress.

“Para tre dite, vëzhguesit e LVV-së, kanë insistuar me e shpallë një votë të AAK-së në Deçan të pavlefshme, për shkak se e ka prerjen, ka ndodhur, është shpallur e pavlefshme edhe e kanë krijuar atë standard me atë prerje. Sipas informacioneve Samia ka ardhur te një tavolinë dhe i ka thënë komisionerit shpalle këtë të vlefshme, derisa ka qenë e njëjta votë, e prerë poshtë. E llogarisim si ushtrim ndikimi ose tentim për të ndikuar për ta shpallur të vlefshme apo pavlefshme”, shtoi ai.

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, është duke vazhduar numërimi i votave me postë.

Sipas përditësimit të fundit në faqen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, deri më 3 mars ora 00:54 janë numëruar 124 kuti të votimit nga 187 sa janë apo 66.31 për qind./kp/

Exit mobile version