Site icon Telegrafi

Pas koncertit, Dua shumë e entuziazmuar: Prishtina ime sa shumë të dua!

Foto: Dua Lipa/Instagram

Artistja shqiptare me renome botërore, Dua Lipa, ka performuar dje para mijëra fansave shqiptarë në natën e parë të festivalit “Sunny Hill”, i cili nisi dje në parkun “Gërmia”, në Prishtinë.

E entuziazmuar, këngëtarja shqiptare doli me vrull në skenë për të kënduar disa nga hitet e saj, para fansave të vendit prej nga ka prejardhjen.

Pamje nga paraqitja spektakolare e Dua Lipës në “Sunny Hill” (Foto: Dua Lipa/Instagram)

Ajo interpretoi e fundit nga të gjithë artistët e festivalit, duke dhuruar kështu një performancë fantastike, e cila do të ngelet gjatë në memorien e njerëzve.

Lexo po ashtu Hite, performancë e përshëndetje në shqip - gjithçka rreth paraqitjes spektakolare të Dua Lipës në Prishtinë

Pas mbarimit të koncertit, Dua sot (e shtunë), vendosi që t’i përshëndes të gjithë ata që ishin prezentë, duke i falënderuar për emocionet që i dhuruan.

Dua Lipa gjatë interpretimit në festivalin “Sunny Hill” (Foto: Telegrafi)

Ajo në një shkrim të gjatë të bërë në rrjetin social Instagram, shkruan se ndjehet vërtet krenare që performoi sërish para fansave të vendit të saj, gjë që ka ëndërruar gjithmonë ta bëjë.

“Prishtina jeme sa shumë të du. Natë e paharrueshme. Faleminderit për mirëpritjen dhe energjinë. Shumë ka ndryshuar që nga koha kur isha këtu dy vjet më parë. Kisha performuar vetëm 35 minuta, s’kisha ende album dhe dashuria ishte e njëjtë. Shumë krenare që erdha dhe performova për ju, sepse kjo ishte diçka që kam dashur ta bëj gjithmonë”, ka shkruar Lipa në Instagram.

Ajo do të largohet nga Prishtina të dielën, pasi do të mbajë koncertin e radhës në Budapest. /Telegrafi/

Exit mobile version