Telegrafi

Pas Khersonit, forcat ruse do të largohen edhe nga centrali bërthamor i Zaporizhia?

Ka disa raporte që sugjerojnë se forcat ruse mund të mendojnë të largohen nga centrali bërthamor i Zaporizhia.

Kështu ka thënë Petro Kotin, shefi i firmës shtetërore të energjisë bërthamore të Ukrainës, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.

“Javët e fundit ne po marrim në mënyrë efektive informacionin se janë shfaqur shenja se ata ndoshta po përgatiten të largohen nga (uzina)”, citohet të ketë thënë Kotin në televizionin kombëtar.

“Së pari, ka një numër shumë të madh raportimesh në mediat ruse se ia vlen të lirohet (fabrika) dhe ndoshta ia vlen t’i jepet kontrolli (i saj) (Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike – IAEA)”, ka thënë ai, duke iu referuar mbikëqyrësit bërthamor të Kombeve të Bashkuara.

“Krijohet përshtypja se ata po paketojnë valixhet dhe po vjedhin gjithçka që munden”.

Një lajm i tillë vjen disa ditë pas largimit të forcave ruse nga qyteti Kherson.

I pyetur nëse ishte shumë herët për të folur për largimin e trupave ruse nga uzina, Kotin tha në televizion: “Është shumë herët. Ne nuk e shohim këtë tani, por ata po përgatiten (të largohen)”. /Telegrafi/