Pas kërcënimit se “sot do t’i merrni vendimet për largim nga puna”, ministri i Shëndetësisë Armend Zemaj i ka kërkuar u.d. Kryeinspektores Nora Krasniqi që t’i denoncojë në Komisionin Disiplinor dy inspektorët e Inspektoratit Shëndetësor Dr. Nysret Kuleta dhe Dr. Bashkim Vatovci.
Gazeta Shneta ka siguruar një dokument ku Krasniqi i është drejtuar Sekretarit me kërkesë të Zemajt, që të inicojë procedurë disiplinore ndaj dy inspektorëve, për siç thuhet “ndërhyrje dhe shantazh” ndaj ministrit.
“I nderuar z. Sekretar, Ju drejtohem me kërkesë të z. Armend Zemaj, ministër i Shëndetësisë, për inicimin e procedurës disiplinore për shkak të ‘ndërhyrje dhe shantazh ndaj ministrit të shëndetësisë në kabinetin e ministrit’, ndaj inspektorëve: Dr. Nysret Kuleta, dhe Dr. Bashkim Vatovci”, thuhet në këtë dokument.
Tutje në këtë email të Krasniqit thuhet se ekziston dyshimi se Kuleta dhe Vatovci kanë bërë shkelje të rëndë të obligimeve dhe përgjegjësive të punës me ndërhyrjen dhe shantazhimin në kabinetin e ministrit Zemaj.
Kjo masë e Zemajt dhe Krasniqit ndaj dy inspektorëve vjen pas kërkesës së punëtorëve të Inspektoratit Shëndetësorë për përfshirje në pakon emergjente të Qeverisë për pagesën shtesë prej 300 eurove.
Gazeta Shneta ka raportuar para disa orësh për një incident që ka ndodhur në MSH ndërmjet inspektorëve dhe ministrit Zemaj. Ky i fundit i kishte paralajmëruar dy inspektorët Kuleta dhe Vatovci, se do t’i marrin sot vendimet për largim nga puna.
Inspektorët kanë deklaruar se kanë shkuar sot për ta takuar Zemajn për t’ia adresuar kërkesën e tyre, por sipas tyre, Zemaj i ka përzënë duke i quajtur “rrugaçë”, si dhe e ka kapur për krahu njërin prej tyre. Poashtu inspektorët kanë deklaruar se Zemaj iu ka kërkuar që ta lirojnë objektin e MSH-së për dy minuta.
Për këtë situatë Zemaj dhe MSH ende nuk kanë dhënë asnjë sqarim, ndonëse Gazeta ka dërguar pyetje para disa orësh. /GazetaShneta/