Komisioni disiplinor pranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) ka marrë vendim për të dënuar edhe Gjilanin pas eksesit në ndeshjen e fundjavës ndaj Ballkanit.
Ndeshja e javës së 27-të mes Gjilanit dhe Ballkanit ishte duke përfunduar me barazim 1-1, por ndeshja u ndërpre nga gjyqtari Genc Nuza në minutën e katërt shtesë.
Deri te ndërprerja erdhi pasi tifozët vendas hyn në fushë dhe e goditen portierin mysafir, Stevi Frashëri, i cili përfundoi në emergjencë.
Disa ditë pas ndeshjes, komisioni i garave vendosi që ndeshjen ta regjistrojë me rezultat zyrtar 3-0 në favor të Ballkanit.
Ky vendim kënaqi mysafirët, por jo edhe vendasit që kanë thënë se do ta apelojnë vendimin.
Megjithatë, dënimet për Gjilanin nuk janë ndalur këtu, pasi është dënuar edhe klubi shkaku i organizimit jo të mirë të ndeshjes.
Komisioni i shkallës së parë në përbërje; Metë Çeku – kryetar, Dukagjin Zefi, Avni Shala, Luan Salihu – anëtarë, në mbledhjen e mbajtur me datë 07.04.2022 shqyrtoi procedurat e hapura nga Komisioni i Garave pas përfundimit të ndeshjeve të xhiros së 27-të të BKT Superligës dhe xhiros së 20-të të Viva Fresh Ligës së Parë, Grupi A dhe Grupi B edicioni 2021-2022.
Pas shqyrtimit komplet të materialit të siguruar nga zyrtarët e ndeshjeve dhe incizimeve televizive mori këtë vendim:
VENDIM:
SC ”Gjilani”. Lëshim në organizimin e ndeshjes Gjilani – Ballkani zhvilluar me 03.04.2022 në stadiumin e qytetit në Gjilan. Në minutën e 90+4, pas barazimit të rezultatit nga ana e vendasve, një numër i shikuesve nga tribuna futen në fushë për të festuar golin e barazimit, dy nga të cilët sulmojnë fizikisht portierin e ekipit mysafir me nr fanelle 77 Stivi Frashëri duke i rrezikuar shëndetin. Lojtarit të sulmuar i është dhënë ndihma e parë në fushën e lojës, pastaj me autoambulacë është transportuar për në spitalin e qytetit. Për shkak të paaftësimit të lojtarit mysafir si rezultat i sulmit nga shikuesit, gjyqtari kryesor duke implementuar rregulloren e garave, në minutën 90 +4 e ka ndërprerë ndeshjen. Sipas raporteve të personave zyrtar të ndeshjes Gjilani – Ballkani . Bazuar 53 paragrafi 1 pika B i Rregullores disiplinore: Dënohet me 3 (tri) ndeshje zyrtare pa praninë e shikuesve si dhe jashtë fushës së stadiumit të qytetit në Gjilan. SC ”Gjilani” ndeshjet mund t’i zhvillojë në terrenin me bari sintetik në Gjilan ose në stadiumet tjera ku klubi dhe shtabi teknik vendosin.
/Telegrafi/