Site icon Telegrafi

Pas humbjes, njeriu shikon më qartë

Durim Taçi (Foto: A. Sh.)

Intervistë me shkrimtarin dhe përkthyesin: Durim Taçi

Ka lënë Tiranën në vitin 2000, ku ka punuar skenarist, gazetar e së fundi specialist i botimeve në Ministrinë e Kulturës. Jeton në Bergamo (Itali) me gruan dhe vajzën. Veç formimit në filologji e kinematografi në Tiranë, ka studiuar filozofi në Milano dhe vijon të marrë pjesë aty në rrethet filozofike. Është gjithashtu anëtar i Shoqatës vullnetare “Orobica Ambiente”, e cilat merret me kujdesin dhe ruajtjen e mureve veneciane të Bergamos, mbrojtur nga UNESCO. Përkthyes i mbi pesëdhjetë titujve letrarë në shqip, nga italishtja dhe anglishtja, sikurse i autorëve shqiptarë në italisht, ka botuar që në vitet 1990 në Shqipëri dhe tani si shkrimtar dygjuhësh, italisht e shqip. Në Itali është nderuar me çmimet letrare “Città di Genova’ dhe ‘Montefiore”. Romani i tij “Extra Time”, u prezantua së fundi në “Milano Bookcity”, një nga ngjarjet më të rëndësishëm të librit në Itali, si dhe përfaqësoi Shqipërinë në “Passaggi Festival”, vitin e kaluar, aktivitet ndërkombëtar i botës së librit e kulturës, që zhvillohet çdo vit në Fano të Italisë. Në shqip deri më tani ka botuar “Fotografi i shkretëtirës” (Arbëria, Tiranë 1996), prozë e shkurtër; “Gratë e diellit” (Fishta, Shkodër 1998), roman; “Fjalor i termave të kritikës moderne” (Toena, Tiranë 2000), përkthim e përshtatje; “Vdekja e fundit” (Toena, Tiranë 2006), roman; “Ngujimi i Presidentit” (Shkup, Maqedoni e Veriut 2008), roman; “Shtatë rrëfime një vaki” (Toena, Tiranë 2013), tregime; “Extra Time, vetja jote e dytë” (Botimet Fishta, Tiranë 2019), roman; “Një prani në ikje” (Botimet Fishta, Tiranë 2020), roman; “Nga një derë tjetër” (Botimet Fishta, Tiranë 2021), tregime. Në italisht: “Primmissimo Zanichelli di Accoglienza” (Zanichelli, 2008), fjalor, hartues i leksikut shqip; “Codice Kanun” (Edizioni dEste, Milano 2016), roman; “Extra Time, la tua seconda persona” (Mimesis Edizioni, Milano 2020), roman: “Una presenza che sfugge” (Lubrina Editore, Bergamo 2021), roman

HEJZA: Larg atdheut, larg vlerave kulturore të kombit, me valixhet plot kujtime, ndrydhur në vetmi e përmallime, lemeritur nga pesha e papërballueshme e asimilimit – ky është motivi krijues, apo, është ai fat që i ndjek të mërguarit për të bërë letërsi të mirëfilltë. Dikur, krijuesit nga diaspora, shqetësimet letrare si rrjedhojë e rebelimit shpirtëror anti-pushtet (disidenca) i orientonin në krijimin e kryeveprave në letërsinë tonë shqiptare, sot këtë gjë e bëjnë me qejf, për ta përcjellë traditën e prurjeve të reja në letërsi dhe, përgjithësisht, në kulturë! Apo ndoshta, tashmë, ky vlerësim është demode, sepse, shkrimtari ynë sot, në kohën e globalizmit, kudo qoftë në botë, ai është në atdhe!

TAÇI: Akti krijues, sidomos për një shkrimtar që jeton jashtë atdheut, fiton përmasën e humbjes, të distancës, faktorë që e bëjnë atë të dallojë, të veçojë e të shikojë më qartë sende, gjësende e dukuri të caktuara. Do ta krahasoja me ballafaqimin gojëtari e gjuhë e shkruar. Gojëtaria perceptohet si një e tërë, në të cilën nuk të hyn në punë as vetë syri, të mjafton veshi, të ndihmon konteksti, vendi ku ndodhesh. Kështu i qasesh e i ikën më lehtë kuptimit. Gjuha e shkruar, ndryshe, fiton anën pamore e hapësinore, bëhet domen i syrit, do të dallojë fjalët, hapësirat midis tyre. Kështu të shtyn si shkrimtar kah faqja ende e bardhë, për të parë e ndërtuar tekst. Shkrimi vjen e bëhet zgjerim e modelim i të menduarit, me të cilin ti hyn në një dialog befasues; ai bëhet veshje dhe ekzistencë e tij në hapësirë. Mbase këtu krahasimi çalon në tërësi, por unë vazhdoj ta përjetoj në këtë mënyrë. Në Shqipëri, edhe kur shkruaja, më dukej sikur jetoja ende në botën e gojëtarisë, sikur vetëm dëgjoja pa parë qartë asgjë, ndërsa tani në Itali kam kaluar vetëdijshëm kah shkrimi, nyjëtimi, dallimi, hetimi elipsoid, si mundësi ndërtimi. Distanca ka bërë punë. Pas humbjes, njeriu shikon më qartë, e kam thënë për raste të tjera, por projektuar në të shkruarin kjo ndihmon edhe më shumë.

HEJZA: Gërshetimi i kulturës hispane me kulturën e indigjenëve përgjatë kolonializimit të “kontinentit të ri” (Amerikës), solli deri te “lindja e madhe” e Letërsisë Hispanoamerikane, e cila, botës letrare i dhuroi kryevepra të paarritshme, nxori një plejadë shkrimtarësh mbase të papërsëritshëm ndonjëherë! Mund të vërehet ndonjë element i tillë gërshetues te krijimtaria letrare e krijuesve tanë në diasporë?

TAÇI: Unë besoj se tani letërsia shqipe ka më shumë mundësi të ngrihet në një stad të ri, ngjashëm siç e kishte vetëm gjatë viteve tridhjetë, se deri dje me përjashtim të ndonjë individi këndej e andej kufirit midis shqiptarëve, nuk kemi pasur një letërsi konkurruese me të mëdhenjtë e kulturës botërore. Kjo, të paktën, është e shpjegueshme. Tani besoj, jo thjesht shkrimtarët e diasporës, por shkrimtari shqiptar në tërësi ka përpara sfida të vërteta. Nëse dje krahasohej me vetveten e gjallonte në narcizizmin e tij, brenda bunkerit komod nga ku nuk hynin rrezet e letërsisë së huaj për krahasime, sot është i zbuluar, duhet të ndërveprojë e të hyjë në marrëdhënie me vlerat botërore. Sfida i përket detyrimisht individit shkrimtar, gjithçka nis nga vetja krijuese si diçka e papërsëritshme, etiketa vjen në fund, edhe përkatësia vendore a kombëtare. Vlerat në plan të parë.

HEJZA: Është më me vlerë ndjekja e traditës për të sjellë “krijime unikale”, apo të bëjmë përpjekje që letërsinë tonë ta sjellim në gjuhën e popujve me të cilët bashkëjeton diaspora jonë! Sa stimulohet përkthimi? A kemi përkthyes të mirëfilltë në diasporë? Bibliotekat si dhe libraritë tona, gjithandej viseve etnike, po “gogësijnë” nga veprat e përkthyera nga letërsia botërore. Apo ndoshta ndani mendimin se çështja e përkthimit të veprave tona nga shqipja në gjuhë të ndryshme, është problem që duhet ta zgjidhin ekskluzivisht institucionet tona qeveritare dhe nacionale!

TAÇI: Ne jetojmë pragun e përkthimit, atë klon kufiri të minuar që na mban zgjuar. Ky është edhe fati i kulturave të popujve të vegjël. Unë e kam lënë Shqipërinë në vitin 2000 kur isha krijues, por edhe përkthyes. Mirëpo, jashtë përkthimi për mua u bë jetë e dytë. Tani ‘përkthej’ edhe veten, i shkruaj veprat në dy gjuhë, fillimisht në italisht, se kjo më disiplinon, më bën të vesh këpucë të ngushta, e pastaj në shqip, ku sigurisht çlirohem, veç këmbët dhëmbin ende dhe nuk më lënë të marr turr kot. Kam përkthyer edhe autorë shqiptarë, pra nga shqipja në italisht: Stefan Çapalikun, Mimoza Hysën, e të tjerë i kam në proces. Institucionet edhe kanë mbështetur përkthimin. Kam emra të autorëve shqiptarë të financuar nga Qendra Kombëtare e Librit. Kjo shpresojmë të vijojë e të përmirësohet sa më shumë në përzgjedhje e në sasi.

HEJZA: Cili është raporti i atdheut me krijuesit shqiptarë të diasporës! Shtëpitë tona botuese që i kemi me bollëk, dinë gjë për këta shkrimtarë, apo, nisin e i njohin sapo ndonjëri prej tyre të shpreh gatishmëri për vetëfinancim të veprave të veta? A mendoni se vetëfinancimi i botimeve është një “korrupsion kulturor” i cili duhet të ndiqet, madje edhe me mbyllje të shtëpisë botuese, nga organet respektive shtetërore?

TAÇI: Sigurisht, jam kundër kësaj dukurie, por nuk besoj se mund të zgjidhet me masa ndëshkimore. Për fat të keq, kjo tregon rënien e institucionit të botimit në tërësi, bashkë me aksesorët që e bëjnë atë të efektshëm. Ka botues që i bëjnë vetë të gjitha, justifikuar edhe nga shumë rrethana të pafavorshme, ka edhe të tjerë që rezistojnë duke iu përmbajtur ngrehinës hijerëndë e të pasur me ekspertë, që kërkon editoria: korrektorë, redaktorë etj. Këta janë më të paktë, por shumë syresh edhe më të shkathët për të gjetur financime e mbështetje gjithandej. Këto dy realitete do të bashkëjetojnë gjatë, kam frikë. Krijuesi pastaj është në mes, duhet të gjejë derën për të trokitur. Mua personalisht më kanë ndodhur të dyja: në Itali i kam dhënë të drejtat e botimeve shtëpive botuese, jam paguar prej tyre – jo kushedi se çfarë – por vetë nuk kam dhënë asnjë lek. Në Shqipëri, për të njëjtat vepra, më ka ndodhur edhe tjetra: për të ruajtur të drejtat e autorit, pasi shtëpitë botuese italiane – Mimesis Edizioni, Edizioni d’Este, Lubrina Editore – ma kërkonin këtë. Kam hyrë në një marrëdhënie kontraktuale me botuesit shqiptarë, duke bashkëfinancuar veprat e mia. Për hir të së vërtetës ka qenë një marrëdhënie dypalëshe e pranuar, nga e cila jam i kënaqur, mi kanë shpërndarë e promovuar ato siç duhet. Në të ardhmen do të ishte më mirë që sa më shumë botues të ‘guxonin’, por kjo do të varet edhe nga faktorë të tjerë, sigurisht.

HEJZA: A e ka thënë akoma fjalën e vet kritika letrare për krijimtarinë që po zhvillohet në diasporë. Apo, janë dy vlera që po ecin paralelisht dhe assesi të takohen diku sy më sy!

TAÇI: Unë nuk mund të ankohem personalisht. Kisha disa kohë shkëputje, nuk botoja letërsi të mirëfilltë, por vetëm përktheja. Para dy vitesh u shfaqa sërish me romanin “Extra Time”. U prit shumë mirë. Kolegë e specialistë, kritikë e lexues të ndryshëm, reaguan shumë pozitivisht. Janë shkruar me dhjetëra artikuj për këtë libër, me qëndrime shumë vlerësuese e profesionale, si në Shqipëri edhe në Itali.

HEJZA: Antologjitë e më hershme të poezisë, por edhe të tregimit shqiptar, nuk janë llogaritur si të “kompletuara” pa përfshirjen e autorëve shqiptarë të diasporës! Sa vend zënë sot krijuesit nga diaspora nëpër antologjitë e tilla bashkëkohore? Apo nuk njihen fare nga hartuesit e antologjive, aq më pak nëse nuk paguajnë për përfshirje!

TAÇI: Antologji, Lista autorësh, Çmime letrare – ku disa përfshihen e disa jo, ku disa renditen e disa jo, ku disa vlerësohen e disa jo – janë faktorë jashtëkrijues e nuk kanë përse të jenë shqetësimi parësor i shkrimtarëve. Për to duhet të shqetësohen institucionet. Shkrimtari duhet të përballet thjesht me artin e tij, të jetë gati, pasi në çdo rast është vepra që do i japë mundësinë e të tilla kënaqësive jashtëletrare, të cilat kanë të bëjnë me të qenit i përfillur, i vlerësuar.

HEJZA: Jeta letrare e shqiptarëve sot është më e pasur se dikur apo më e varfër?

TAÇI: Sot jeta e shqiptarëve është më e pasur, sidomos në përvoja jetësore. Kjo jo vetëm për shkak të një shtresëzimi të natyrshëm të tyre, por si rezultat i lirisë: asaj të mendimit në Shqipëri; i lirisë kombëtare në Kosovë; i fitimit të më shumë të drejtave për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut dhe të shqiptarëve kudo që jetojnë. Në Shqipëri, gjatë periudhës së formimit tim, nga vitet tetëdhjetë deri në vitet nëntëdhjetë, nuk na ka ndodhur pothuajse asgjë. Ishim si manekinë të komanduar, na ishte hequr edhe ‘barra’ e të menduarit bashkë me atë të shprehjes, e ç’është më e keqja, nuk e dinin se ndrynim brenda vetes një akumulim negativ që i burgoste vetë aspiratat tona sublime, i cili na rezultoi i dëmshëm gjatë kësaj periudhe tranzicioni. U habitëm kur pamë se ç’deformim pësuan aspiratat tona nga vetë ne. Sigurisht ishim të papërgatitur e vetëm tani kemi filluar ta gjejmë fajin, së pari, tek vetja. Kjo jep shpresë për një të ardhme më të mirë. /Hejza/

 

 

 

Exit mobile version