Telegrafi

Pas heqjes së rrethojave dhe lirimit të trotuarit – rruga që shpie te Parku i Qytetit do të bëhet njëkahore

Drejtoria e Inspekcionit në Prishtinë, sot ka ndërmarrë një aksion ku ka hequr rrethojat për rreth Parkut të Qytetit si dhe ka bërë lirimin e hapësirës në trotuar.

Pas këtij aksioni, drejtoria e Inspekcionit ka njoftuar se rruga “Hamëz Jashari” që të shpie te Parku i Qytetit do të shëndrrohet në rrugë njëkahore.

“Drejtoria e Investimeve Kapitale dhe Menaxhimit të Kontratave do të vazhdojë me ngritjen e trotuarit dhe punët tjera të cilat do të sigurojnë edhe trotuare të lira për këmbësorët, vendparkingje por edhe qarkullim të lirshëm të veturave duke e shndërruar rrugën Hamëz Jashari në rrugë njëkahore”, thuhet në njoftimin e kësaj drejtorie.

Drejtori Florian Dushi tha e qëllimi i këtij projekti është lirimi i trotuareve rreth parkut të Qytetit, një kërkesë kjo e kamotshme e banorëve të Prishtinës. Ai u shpreh se për shkak të bllokimit të trotuareve sot ka nisur largimi i rrethojave për të pasur më shumë hapësirë të lëvizjes së lirë të qytetarëve.

“Sot këtu në parkun qendror të kryeqytetit, jemi në realizimin e një projekti që ka për qëllim një kërkesë të kamotshme të qytetarëve të Prishtinës, pra lirimin e trotuareve rreth Parkut të Qytetit. Këto trotuare kanë qenë vazhdimisht të bllokuara nga parkimi i veturave në mënyrë të jashtëligjshme. Tani kemi filluar me largimin e rrethojave që për qëllim ka lirimin e këtyre hapësirave të parkut dhe aspektin e imazhit të parkut. Zgjerimin e trotuarit, ndërtimin e një trotuari të ri dhe krijimin e hapësirave të reja në brezin e rrugës për parking dhe shndërrimin e saj në rrugë një kahëshe. Projekt përmes të cilit synojmë që të zgjidhim edhe problemet e këmbësorëve, mungesa e hapësirave për qarkullim të këmbësorëve, parkimit të veturave por edhe të një qarkullimi më të lirë të veturave duke shndërruar në rrugë një kahore”, tha ai. /Telegrafi/