Ushtruesi i detyrës së ambasadorit të SHBA-së në Kosovë, Nicholas J. Giacobbe ka reaguar pasi marrëveshja mes Kosovës e Serbisë për targat ka filluar të zbatohet.
Përmes Twitter-it, Giacobbe ka thënë se forcat e KFOR-it në pika kufitare janë aty përkohësisht.
Sipas tij, pritet që për dy javë të kthehet funksionimi i kufirit në normalitet.
Ai ka shtuar se tashmë është koha që të ecet përpara dhe të ketë riangashim të përkushtuar në dialogun mes Kosovës e Serbisë.
“Progres i mirë nga Kosova dhe Serbia që po implementojnë në kufi marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja. Prezenca e KFOR-it është e përkohshme, për dy javë ne presim që funksionimi i kufirit të kthehet në normalitet. Koha që të ecet përpara dhe të ketë riangazhim të përkushtuar në dialog”, thuhet në reagim.
Good progress by Kosovo & Serbia implementing the EU-brokered agreement at the border. @NATO_KFOR’s presence is temporary, in two weeks we expect border operations to return to normal. Time to build upon this momentum and reengage earnestly in the Dialogue.
— Chargé d’Affaires Nicholas J. Giacobbe, Jr (@USAmbKosovo) October 2, 2021
Ndryshe, pas 13 ditësh sot janë zhbllokuar rrugët që shpiejnë në vendkalimet kufitare në veri, Jarinë dhe Bërnjak, ku është kthyer qarkullimi i lirë i automjeteve.
Pas heqjes së barrikadave të vendosura nga serbët, pjesëtarët e Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës janë kthyer në Prishtinë, duke i lënë në dorë situatën në veri të Kosovës forcave të KFOR-it.
Tetë orë ishte koha që u caktua sipas marrëveshjes brenda së cilës serbët që po mbanin të bllokuar rrugët për Jarinjë e Bërnjak të largoheshin, paralelisht me Njësinë Speciale që po përkujdesej për sigurinë atje.
Ushtarët e KFOR-it tashmë kanë marrë nën kontroll situatën në veri, teksa serbët kanë larguar barrikadat që kanë vendosur 13 ditë më parë. /Telegrafi/