Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka shprehur gatishmërinë për asistencë të plotë nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e helmimit të qytetarëve të Krujës.
Mehaj, përmes një postimi në Facebook, ka bërë të ditur se ka qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare.
“Si vëllai për vëllain. Sot gjatë gjithë ditës kam qëndruar në komunikim të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare, dhe në veçanti me homologun tim, z. Niko Peleshi, ambasadorin e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, z. Qemajl Minxhozi, si dhe zyrtarë të tjerë nga Republika e Shqipërisë për të shprehur gatishmërinë për asistencë të plotë nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës me rastin e helmimit të qytetarëve në Krujë”, ka shkruar Mehaj.
“Kam kërkuar që të gjitha kapacitetet specialistike të Forcës së Sigurisë së Kosovës të qëndrojnë në gjendje gatishmërie për ofruar të gjithë asistencën e mundshme”, ka vazhduar tutje Mehaj.
Ministria e Mbrojtjes, sipas Mehajt, me të gjitha aftësitë dhe kapacitetet operacionale të FSK-së, janë dhe do të jenë gjithmonë në dispozicion për të ndihmuar autoritetet e Republikës së Shqipërisë dhe qytetarët e saj.
Të paktën 370 persona me simptoma helmimi janë paraqitur në spitalin e Krujës. Dyshohet se ata u helmuan nga uji i pijshëm.
Qytetarë të grupmoshave të ndryshme kanë kërkuar trajtim mjekësor, pasi pjesa më e madhe e tyre kishin diarre e të vjella që shkaktojnë dehidratim.