Site icon Telegrafi

Pas Hamasit, Netanyahu pranon planin amerikan të paqes për Gazën

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu konfirmoi mbështetjen për planin amerikan për të ndal luftën në Rripin e Gazës. Ai ishte i kënaqur që edhe pala tjetër, Hamasi ka pranuar planin e presidentit amerikan, Joe Biden.

“Unë u takova me kryeministrin Netanyahu mbrëmë dhe ai konfirmoi angazhimin ndaj këtij propozimi”, tha Blinken.

Të hënën, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë përkatëse të paraqitur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me të cilën pajtohet edhe Hamasi. Blinken e quajti atë një shenjë premtuese dhe tha se përparimi në përpjekjet për të arritur një zgjidhje në Rripin e Gazës varej nga kjo lëvizje.

Lexo po ashtu Hamasi mirëpret votimin e KS të OKB-së për armëpushim në Gaza

Sipas Blinken, plani i armëpushimit i paraqitur nga presidenti amerikan më 31 maj ka mbështetjen e SHBA-së dhe disa liderëve botërorë, raporton aa.

Ministri i Jashtëm amerikan po përpiqet të mbledhë mbështetje për një plan armëpushimi gjatë një udhëtimi në Lindjen e Mesme.

Përveç armëpushimit, teksti përfshin edhe lirimin e të gjithë pengjeve dhe një rritje të konsiderueshme dhe të qëndrueshme të ndihmave humanitare për këtë enklavë. Blinken theksoi se ky propozim do të çojë në një qetësim të situatës rreth kufijve veriorë të Izraelit dhe një integrim më të mirë të vendeve të Lindjes së Mesme.

Të martën, Blinken foli me presidentin izraelit, Yitzchak Herzog dhe liderin e opozitës, Yair Lapid. Më vonë, ai duhet të takohet edhe me Benny Gantz, i cili njoftoi largimin nga “kabineti i luftës”. Të mërkurën ministri amerikan do të vizitojë Katarin. /Telegrafi/

Exit mobile version