Afro 50 vite pas fjalimit të saj në emër të Marlon Brandos për përshkrimin e amerikanëve vendas, Akademia i ka kërkuar falje aktores Sacheen Littlefeather.
Në ceremoninë e vitit 1973 të Oscars, Brando e kishte fituar çmimin për rolin e Vito Corleones në “The Godfather”, por nuk ishte i pranishëm në shenjë proteste për të drejtat e amerikanëve vendas (popujt indigjenë amerikanë).
Në vend të tij ishte paraqitur Littlefeather, e cila po ashtu refuzoi ta pranonte statujën nga Roger Moore dhe Liv Ullmann, ndërsa mbajti një fjalim të shkurtër, ku mes tjerash tha se qëndrimi i Brandos kishte të bënte me trajtimin e indianëve amerikanë nga industria e filmit.
Fjalimi i saj ishte shoqëruar me fishkëllima nga të pranishmit, ndërsa Sacheen (asokohe 26 vjeçare) kishte treguar se sigurimi kishte ndërhyrë për ta mbrojtur nga sulmi i aktorit John Wayne, derisa shumë njerëz të tjerë e kishin ofenduar në prapaskenë.
Tash, Akademia e Arteve dhe Shkencave të Filmit (Ampas), organi që mbikëqyr çmimet Oscar, i ka kërkuar falje zyrtare Sacheen Littlefeather.
Ampas ka lëshuar një deklaratë pajtimi të nënshkruar nga presidenti David Rubin që e përshkruan paraqitjen e saj si “një deklaratë të fuqishme që vazhdon të na kujtojë domosdoshmërinë e respektit dhe rëndësinë e dinjitetit njerëzor”.
“Abuzimi që keni përjetuar për shkak të asaj deklarate ishte i pajustifikuar. Barra emocionale që keni përjetuar dhe kostoja e karrierës suaj në industrinë tonë janë të pariparueshme. Për një kohë të gjatë, guximi që keni dhënë nuk është pranuar. Për këtë, ne ofrojmë faljen tonë më të thellë dhe admirimin tonë të sinqertë”, thuhet mes tjerash në komunikatë.
Littlefeather, e cila tash është 75 vjeçare, u përgjigj duke thënë: “Sa i përket kërkimit të faljes së Akademisë ndaj meje, ne indianët jemi njerëz shumë të duruar – kanë kaluar vetëm 50 vjet! Duhet ta mbajmë sensin tonë të humorit për këtë në çdo kohë. Është metoda jonë e mbijetesës”.
“Nuk kam menduar kurrë se do të jetoj për ta parë këtë ditë. Kjo është një ëndërr e realizuar. Është thellësisht inkurajuese të shoh se sa shumë ka ndryshuar qëkur nuk e pranova çmimin e Akademisë para 50 vitesh. /Telegrafi/