Njëri nga ish-komandantët e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Daut Haradinaj, ka reaguar pas ftesës për intervistim të Rexhep Selimit nga Specialja javën e ardhshme në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Ish bashkëluftëtari i Selimit, Daut Haradinaj, përmes një postimi në Facebook, ka shprehur bindjen se Rexhep Selimi do të dalë faqebardhë nga ky proces.
“Do dalësh faqebardhë Rexhë, pastër si lufta e UÇK-së”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, ish-komandanti i UÇK-së Rexhep Selimi, përmes një statusi në profilin e tij në Facebook ka bërë të ditur se ka marrë ftesën nga Gjykata Speciale.
Ai ka thënë se do të paraqitet në cilësinë e të dyshuarit dhe se intervistimi do të zhvillohet gjatë javës së ardhshme në Zyrën e Prokurorit të Specializuar në Holandë.
Ftesë për intervistim nga Gjykata Speciale ditë më parë kanë marrë edhe kryeparlamentari në largim, njëherësh kryetari i PDK-së Kadri Veseli, kreu i Komunës së Drenasit, njëri ndër komandantët e UÇK-së në Zonën e Drenasit, Ramiz Lladrovci, dhe ish-pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Xhavit Elshani, Durmish Gashi dhe Halil Çadraku, Selim Krasniqi.
Ndryshe, deputetët e Kuvendit të Kosovës më 3 gusht 2015, me shumicë votash, kanë votuar ndryshimet kushtetuese, që mundësonin themelimin e Gjykatës Speciale për krime lufte. Pas një seance maratonike, pro themelimit të Gjykatës Speciale votuan 82 deputetë, 5 ishin kundër dhe një abstenoi.
Kundër themelimit të Gjykatës Speciale ishin tri partitë politike opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Nisma për Kosovën.