Telegrafi

Pas fjalimit të Marios, Emina Çunmulaj thotë se qëndron krah të gjithë shqiptarëve që janë pjesë e komunitetit LGBT

Deklarata e grimerit të famshëm shqiptar, Mario Dedivanovic, dje (e martë), bëri bujë në mediat rozë, teksa gjatë pranimit të çmimit “American Influencer Awards”, ai ka folur hapur edhe për orientimin e tij seksual.

I njëjti deklaroi se është homoseksual dhe si një 37-vjeçar ndjehet krenar që është i tillë, prandaj dëshiroi të ndante këtë me gjithë të tjerët, në praninë e familjes, miqve dhe para një numri të madh të njerëzve në publik.

Në mesin e shumë personazheve të njohura, një reagim rreth kësaj e ka bërë edhe modelja Emina Çunmulaj, me anë të një postimi të publikuar në rrjetin social, Instagram.

Kim Kardashian i dhuron çmimin “American Influencer Awards” grimerit Mario Dedivanovic (Foto: Matt Winkelmeyer/Getty Images/Guliver)

Modelja, e cila jeton dhe vepron në Amerikë, shprehet se është shumë krenare për Marion, për guximin e tij dhe në fund tregon se qëndron krah të gjithë shqiptarëve që janë pjesë e komunitetit LGBTQ.

“Sot u zgjova në mëngjes si gjithnjë dhe shikova në email dhe tekstet e mia dhe më pas hyra në Instagram ku edhe pashë këtë postim të Marios. Zemra ime u shkri, plot dashuri për të dhe për guximin e tij, forcën dhe dashurinë për veten dhe familjen e tij. Unë jam aq krenare për ju Mario, urime për ju, duke ju parë juve që ndatë me të gjithë botën diçka që është akoma kaq e vështirë për aq shumë në të gjithë botën është një hapës i syve për të gjithë ne që duhet të duam njëri-tjetrin, të respektojmë jetën e njëri-tjetrit dhe t’i përkrahim të gjithë me dashuri”.

Lexo po ashtu Fjalimi emocional i grimerit Mario: Sot, për herë të parë qëndroj me shumë krenari si 37-vjeçar 'gay'

“Unë qava si një fëmijë duke shikuar fjalimin tuaj të pranimit për çmimin American Influencer Award. Unë qëndroj pranë jush dhe me ju dhe me të gjithë vëllezërit dhe motrat tona shqiptare në komunitetin LGBTQ që kanë nevojë për mbështetjen tonë”, ka shkruar mes të tjerash modelja Çunmulaj.

Veç tjerash, Mario pas këtij fjalimi prekës mori përkrahjen edhe të superyllit Kim Kardashian, Bebe Rexhës si dhe Albërie Hadërgjonajt, me të cilat edhe njihet nga afër. /Telegrafi/