Telegrafi

Pas Finlandës, edhe Estonia pritet ta mbyllë kufirin e saj me Rusinë

Estonia tha të mërkurën se ishte “e përgatitur” të mbyllte kufirin e saj me Rusinë pas një lëvizje të ngjashme nga Finlanda, me Talinin që përmend një kërcënim të mundshëm nga fqinji i saj lindor.

Ministri i Jashtëm estonez Margus Tsahkna tha se situata në kufirin e Finlandës, e cila ka parë një rritje të emigrantëve pa dokumente në javët e fundit, ishte “një sulm i hapur hibrid i kryer nga Rusia”, përcjell Telegrafi.

Sipas deklaratës së Ministrisë së Jashtme të Estonisë, Tsahkna shtoi se shteti baltik është “i përgatitur të mbyllë kufirin e tij me Rusinë dhe të mbrohet nga çdo sulm hibrid”.

Lexo po ashtu Finlanda mbyll edhe pikëkalimin e fundit kufitar me Rusinë

Estonia, një ish-republikë sovjetike, tani është një anëtare e BE-së dhe NATO-s dhe një mbështetëse e vendosur e Ukrainës ndërsa Kievi lufton kundër pushtimit rus.

“Është edhe një provë tjetër se Rusia nuk po lufton vetëm në Ukrainë; në vend të kësaj ai vend përbën një kërcënim për vendet e tjera me sulmet e tij hibride”, tha Tsahkna për situatën në Finlandë teksa mori pjesë në bisedimet e ministrave baltik dhe nordik në Bruksel.

Finlanda, e cila ndan një kufi prej 1,340 kilometrash me Rusinë, javën e kaluar mbylli të gjitha pikat e saj kufitare përveç njërit për udhëtarët nga Rusia, duke mbajtur të hapur vetëm pikën më veriore të vendosur në Arktik. Por edhe kjo tani do të mbyllet, tha qeveria të martën. /Telegrafi/