Site icon Telegrafi

Pas dështimit të takimit me ish-ministrat e Financave, Bislimi: Mbetem i hapur për kritikat rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë

Ish-ministrat e Financave nuk i janë përgjigjur ftesës së ministrit në detyrë Besnik Bislimi për një takim siç ka thënë ai konsultues rreth “Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë”.

Lidhur me këtë, Bislimi ka thënë se mbetet i hapur për kritikat nga ish-ministrave lidhur me këtë pako.

Ftesa i është dërguar ish-ministrave Bedri Hamza, Avdullah Hotin, Besim Beqaj, Haki Shatri, Ahmet Shala, Ali Sadriu si dhe guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmetin.

Po ashtu, ai njofton se i vetmi që iu përgjigj pozitivisht ftesës ishte guvernatori Mehmeti.

“Dua të përfundoj me potencim të sërishëm, se qëllimi i vetëm i ftesës për takimin e sotëm ka qenë gjetja e hapësirave për harmonizim të ideve dhe alternativave të subjekteve të ndryshme politike, në mënyrë që pas aprovimit të saj, pakoja të ketë mbështetje maksimale nga secili spektër i shoqërisë. Përkundër mos-gatishmërisë së ish-kolegëve për të qenë sot në takim, dua t’u bëjë me dije që kabineti im mbetet i hapur për ata, idetë por edhe për kritikat e tyre konstruktive”, njofton Bislimi.

Lexo po ashtu Nuk mbahet takimi i ftuar nga Bislimi me ish-ministrat e Financave për të diskutuar rreth Pakos për Rimëkëmbjen e Ekonomisë

Shkrimi i plotë në Facebook

Të nderuar qytetarë,

Për sot kisha ftuar në një takim këshillues gjithë ish-ministrat e deritanishëm të financave të Qeverisë së Republikës së Kosovës, si hap i parë drejt dizajnimit të një pakojë sa më të avancuar të rimëkëmbjes ekonomike. Kjo pako do të adresonte nevojat e ekonomisë menjëherë pas përfundimit të masave kufizuese në përballje me pandeminë COVID-19.

Kam marrë tri përgjigje në tërësi; konfirmimin për pjesëmarrje nga ana e guvernatorit të Bankës Qendrore, z. Mehmeti, përgjigjen e ish-ministrit z. Ahmet Shala dhe ish-ministrit, z. Bedri Hamza. Zotëri Shala më ka njoftuar se është me qëndrim në SHBA dhe rrjedhimisht e ka të pamundur prezencën në takim, por ka ofruar mbështetje nga distanca me gjithë kapacitetin e tij intelektual. Ndërsa z. Hamza ka njoftuar se për momentin nuk e sheh të mundshme pjesëmarrjen në takim.

Si përfundim, unë kam takuar guvenratorin, z. Mehmeti, dhe kemi shkëmbyer informacione shumë të vlefshme për ecuritë në sistemin bankar dhe në sektorin privat të ekonomisë në tërësi. Po ashtu kemi analizuar mundësinë dhe afatet realiste për fillimin e relaksimit të masave kufizuese, dhe vështirësitë e sektorit privat deri në normalizimin e plotë të jetës dhe aktivitetit ekonomik. Si Ministria e Financave dhe Transfereve ashtu edhe Banka Qendrore është duke analizuar elementet kryesore që do të duhet të jenë pjesë përbërëse e pakos për rimëkëmbje ekonomike dhe po ashtu edhe akterët të cilët do duhej të përfshihen në diskutimet intenzive.

Dua të përfundoj me potencim të sërishëm, se qëllimi i vetëm i ftesës për takimin e sotëm ka qenë gjetja e hapësirave për harmonizim të ideve dhe alternativave të subjekteve të ndryshme politike, në mënyrë që pas aprovimit të saj, pakoja të ketë mbështetje maksimale nga secili spektër i shoqërisë. Përkundër mos-gatishmërisë së ish-kolegëve për të qenë sot në takim, dua t’u bëjë me dije që kabineti im mbetet i hapur për ata, idetë por edhe për kritikat e tyre konstruktive. /Telegrafi/

Exit mobile version