Presidenti izraelit, Reuven Rivlin vendosi sot t’ia besojë mandatin për përbërjen e qeverisë së re kreut të opozitës, Yair Lapid, dhe ky është një hap që mund të çojë në fundin e qeverisjes së gjatë të kryeministrit, Benjamin Netanyahu.
Rivlin e njoftoi vendimin drejtpërdrejt në televizion, një ditë pasi Netanyahu e informoi atë se kishte dështuar të formonte një koalicion qeverisës deri të martën në mesnatën.
Rivlin tha se u këshillua me të gjitha partitë e zgjedhura në parlamentin izraelit, Knesset, në zgjedhjet e 23 marsit dhe shprehu besimin se Lapid, udhëheqësi i partisë qendrore “Ka një Ardhmëri” (Yesh Atid), ka shansin më të mirë të formimit të një koalicioni.
Vetë Yair Lapid ishte një gazetar dhe prezantues i njohur televiziv dhe Ministër i Financave nga viti 2013 deri në vitin 2014, raporton jerusalempost.
Ai tani ka katër javë kohë për të arritur një marrëveshje me partnerët e mundshëm dhe po përballet me një detyrë të vështirë sepse palët në Knesset kanë pak gjëra të përbashkëta përveç armiqësisë ndaj Netanyahut.
Sidoqoftë, Lapid mund të hyjë në histori nëse i jep fund mbretërimit të gjatë të Netanyahut, i cili ka qenë kryeministër për 12 vjet rresht dhe gjithsej 15 vjet, transmeton Telegrafi.
Partia e tij fitoi 17 vende në zgjedhjet e katërta në më pak se dy vjet dhe është e dyta më e madhe në Knesset pas Likudit konservator të Netanyahut me 30 deputetë. Lapid po kërkon një qeveri të unitetit kombëtar për të zëvendësuar Netanyahun, i cili po gjykohet për korrupsion.
Rezultatet e sondazhit të opinionit publik të botuar nga kanali televiziv izraelit 13, 43 përqind e izraelitëve duan qeverinë e Lapid dhe Naftali Bennett, udhëheqësin e partisë së krahut të djathtë Jamina (Djathtas).
Për këtë, ata do të kenë nevojë për mbështetjen e të paktën një partie të arabëve izraelitë. Bennett u takua sot për herë të parë në karrierën e tij politike me Mansour Abbas, udhëheqësi i një partie të vogël islamike, e cila mund të ndihmojë në sigurimin e shumicës.
Nëse opozita arrin të formojë një qeveri uniteti, kjo do të thotë fundi i qeverisjes së Netanyahut, i cili ka qenë kryeministër për 12 vjet rresht. Përndryshe, izraelitët mund të votojnë për herë të pestë që nga prilli i vitit 2019 në vjeshtë. /Telegrafi/