Pas deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili ka thënë se masakra e Reçakut ishte një krim i fabrikuar, ka reaguar Bashkimi Evropian.
BE ka thënë se nuk ka vend për të mohuar ngjarjet që kanë ndodhur në Reçak në vitin 1999 dhe se pikëpamje të tilla janë në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
Këtë qëndrim të BE-së, nëpërmjet një emaili, e ka shpërndarë Ana Pisonero, zëdhënësja e re e Komisionit Evropian për çështje të fqinjësisë dhe zgjerimit. Por nga përmbajtja shihet se ky është qëndrim i përgatitur mirë nga shërbimet e Komisionit Evropian, sepse i njëjti qëndrim është dhënë edhe në muajin prill të këtij viti.
“Mohimi dhe rishikimi janë në kundërshtim me vlerat e BE-së dhe në kundërshtim me projektin për integrimin e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në deklaratën tyre.
Në lidhje me dënimin me dy vjet burg për Ivan Teodosijeviqin e Listës Serbe i cili e ka përshkruar Reçakun si “fabrikim”, BE tha se i takon gjykatave të përcaktojnë nëse deklarime të caktuara janë vepra penale.
“Iu takon gjykatave të gjykojnë nëse deklaratat e caktuara paraqesin vepra penale. Dënimet duhet të jenë proporcionale dhe të marrin parasysh të gjitha elementet e rastit. Autoritetet duhet të punojnë në mënyrë të sinqertë në vlerësimin e së kaluarës në shenjë respekti për viktimat. Një gjë është e qartë, nuk ka vend për mohimin apo relativizimin e ngjarjeve që ndodhën në Reçak në Kosovë, në janar të vitit 1999″, thotë. BE.
Ndërkaq, Tomë Gashi, përfaqësuesi juridik i viktimave të masakrës së Reçakut ka bërë kallëzim penal ndaj presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Gashi ka thënë se Vuçiq ka kryer veprën penale të nxitjes së urrejtjes, përçarjes ose mos durimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, transmeton Telegrafi.
Në anën tjetër, avokati Tomë Gashi ka paraqitur një kallëzim penal kundër presidentit serb, Aleksandër uçiq në Zyrën e Prokurorit Special në Prishtinë.
Po ashtu pas deklaratës së Vuçiqit, të premten pati reagime të ashpra nga liderët kosovarë.