Pas bisedimeve të gjata me Bolognan për Riccardo Calafiorin, Arsenali më në fund ka arritur marrëveshje për mbrojtësin italian.
Misioni i ardhshëm i Mikel Artetës është transferimi i një mesfushori, dhe Mikel Merino i Real Sociedadit është objektivi i tyre i ardhshëm kryesor.
Ata do të përballen me konkurrencë të ashpër nga dy gjigantët spanjollë. Matteo Moretto ka konfirmuar se Atletico Madridi po shtyn fortë për transferimin e tij, ndërkohë edhe Barcelona e ka identifikuar Merinon si profilin e duhur për mesfushën e tyre.
Fillimisht Barcelona do të tentojë të mbyllë marrëveshjet për transferimin e Nico Williams dhe Dani Olmos, ndërsa SPORT ka raportuar që blaugranasit duhet fillimisht të bëjnë disa shitje para se të përpiqen për transferimin e Merinos.
E përditshmja katalanase raporton se Arsenali është kundërshtari më i madh i Barcelonës për shërbimet e Merinos, pasi Arteta e ka telefonuar personalisht lojtarin këtë verë.
Moretto ka konfirmuar tutje se Arsenali ka bërë disa kërkime dhe telefonata për Merinon, por deri më tani, nuk ka pasur ndonjë ofertë zyrtare.
27-vjeçarit do t’i skadojë kontrata me Sociedadin verën e ardhshme dhe ai tashmë ka vendosur se nuk do të nënshkruajë një të re.
Çmimi për shitjen e tij ende nuk dihet saktë, megjithëse raportohet se sillet diku mes 20 ose 30 milionë eurosh dhe Arsenali po synon ta shfrytëzojë situatën financiare të Barcelonës në avantazhin e tyre.
Merino ishte pjesë e ekipit të Spanjës në Kampionatin Evropian 2024, madje shënoi golin vendimtar ndaj Gjermanisë në çerekfinale./Telegrafi/