Ministrat e Punëve të Jashtme të Bashkimit Evropian gjatë një takimi në Bruksel pritet të diskutojnë për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Rusisë, pas burgosjes së disidentit Alexei Navalny.
Sipas medieve të huaja, përcjell Telegrafi, nëse marrëveshja arrihet në parim, ka të ngjarë që pjesa ligjore e zbatimit të këtyre masave mund të jetë e gatshme javën e ardhshme.
Ministri austriak i Punëve të Jashtme, Alexander Schallenberg i tha gazetës gjermane Welt se ai beson që shumica do t’i mbështesë sanksionet.
Vendosja e sanksioneve pritet të përfshijë ngrirjen e aseteve financiare ose ndalimet e udhëtimit. Mendohet se për herë të parë, vendet evropiane do të përdorin instrumentin e ri për të ndëshkuar shkeljet e të drejtave të njeriut.
Pasi i mbijetoi helmimit me agjentin nervor Novichok dhe mori trajtim në Gjermani, lideri i opozitës Alexei Navalny u kthye në Rusi më 17 janar ku u arrestua menjëherë.
Të shtunën e kaluar, 44-vjeçarit iu refuzua apeli i dënimit.
Së bashku me zhvillimet në Bjellorusi, çështja e Navalnyt është pika e kritike në marrëdhëniet BE-Rusi. Blloku evropian tashmë ka aplikuar sanksione për rolin e Moskës në konfliktin në Ukrainë. /Telegrafi/