Site icon Telegrafi

Pas Bugatti dhe Mercedes, Porsche zbulon ndërtesën luksoze të banimit

Prodhuesit e veturave që i vënë emrin e markës ndërtesave luksoze të banimit nuk është diçka e re – Aston Martin, Bentley, Bugatti dhe Mercedes, të gjithë e kanë bërë këtë.

Këtë shembull po e ndjek edhe Porsche me rrokaqiellin e saj 60 katësh në Miami që përmban një ashensor veturash ku banorët – përfshirë yllin argjentinas të futbollit, Lionel Messi – parkojnë veturat e tyre jashtë apartamenteve.

Muajin e kaluar, prodhuesi gjerman i veturave sportive konfirmoi se shtëpia e tij Porsche Design tani është bashkuar për një tjetër projekt të pasurive të paluajtshme, këtë herë në kryeqytetin tajlandez të Bangkokut.

Në vend të një ashensori, pronarët mund t’i drejtojnë veturat e tyre në vendet e parkimit përmes një spiraleje e cila përbën një pikë qendrore në ndërtesën e madhe.

Bëhet e ditur se ndërtesa po krijohet në bashkëpunim me Ananda Development.

Ndërtimi i kompleksit 95 metra të gjatë është planifikuar të fillojë vitin e ardhshëm dhe të përfundojë deri në vitin 2028, shkrun Mail Online, përcjell Telegrafi.

Rezidencat që variojnë nga 525 në 1,135 metra katrorë kanë ballkone private të kompletuara me pishinë.

Porsche pretendon se këto njësi do të ‘caktojnë një standard të ri për jetesën luksoze’.

Siç raportohet, më e lira do të kushtojë 15 milionë dollarë ndërsa më e shtrenjta 30.5 milionë.

‘Kurora’ e kuqe LED që ndodhet në majë të ndërtesës i ngjan rrezes së shiritit të dritës së frenimit edhe në modelet aktuale 911.

Brenda, ajo është e dekoruar me materiale me pesë yje me mobilie luksoze të ofruara për të ‘rritur përvojën e shkëlqyer të jetesës’.

Kjo përfshin kuzhina luksoze ‘të frymëzuara teknikisht’ të nivelit më të lartë, me sirtarë me energji elektrike dhe dyer dollapësh, në mënyrë që të mos keni nevojë t’i hapni ato me dorë.

Ka shumë edhe për sa i përket komoditeteve, me një pishinë 25 metra, një qendër fitnesi, një spa, një sallë pritjeje dhe një sallë biznesi.

Natyrisht, nuk mund të mbante emrin Porsche nëse aty nuk do të kishte hapësirë edhe për veturat e pronarëve.

Kjo është arsyeja pse në 21 katet do të ketë një sërë ‘Hapësira pasioni’.

Këto janë garazhe ku banorët mund të ruajnë koleksionet e tyre të dashura automobilistike midis veprave të artit.

Ndryshe, pas kullës së Miamit dhe hotelit të Porsche në Shtutgart në qytetin e saj të lindjes, kulla e Bangkokut do të jetë projekti i tretë i pasurive të paluajtshme – dhe i pari në Azi.

Lutz Meschke, nënkryetar i bordit ekzekutiv në Porsche AG tha: “Kjo kryevepër arkitekturore unike, ekskluzive përshtatet në mënyrë të përkryer me qasjen tonë për të zgjeruar tërheqjen për klientët tanë më të dalluar duke u ofruar atyre përvoja ekskluzive në të gjitha fushat e jetës”. /Telegrafi/

Exit mobile version