Në fjalën e tij gjatë konferencës së përbashkët për shtyp në Shkup, me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe vendet e aleate të rajonit, Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama u shpreh se duhet të zbatohet sa më shpejt kërkesa e Shqipërisë për bashkëfinancim me NATO-n për bazën e re detare në Porto Romano.
Sipas kreut të qeverisë, NATO do të sigurojë akses të shpejtë në këtë pjesë të Evropës.
“Aplikimi i Shqipërisë për bashkëfinancimin e bazës detare të NATO-s në Porto Romano. Besojmë se çdo gjë që ndodh hap pas hapi, e përforcon vlerën strategjike dhe për vetë NATO-n që do të fitojë një akses të shpejtë në këtë pjesë të Evropës. Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024, edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2%, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare. Ne do të vazhdojmë të jemi shumë të anagzhuar për të përforcuar kapacitetet tona, mbetemi në frontin e vendeve të NATOS, një anëtar i përgjigjshëm dhe i palëkundur në misionet e përbashkëta”, theksoi Rama ndër të tjera gjatë fjalës së tij.
Kreu i qeverisë gjithashtu nënvizoi se, “Shqipëria ka përmbushur me buxhetin e vitit 2024 edhe objektivin e financimit të mbrojtjes me 2%, siç është shtruar nga tryeza e NATO-s për të gjitha vendet anëtare dhe ne do të vazhdojmë të jemi shumë të angazhuar dhe shumë të përkushtuar për të forcuar kapacitetet tona për të rritur eficiencën e Forcave tona të Armatosura dhe njëkohësisht mbetemi në frontin e vendeve të NATO-s, një anëtar i përgjegjshëm dhe i palëkundur në të gjitha sfidat e përbashkëta”.
Më tej Rama deklaroi se ka propozuar një format të një Samitit të NATO-s me Ballkanin Perëndimor. /Telegrafi/