Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, aktualisht ndodhet në Shqipëri, e cila siç ka njoftuar do të qëndrojë vetëm një ditë.
Ajo erdhi në trojet shqiptare për t’iu ndihmuar familjeve të prekura nga tërmeti i së martës që la mbi 51 të vdekur e me qindra njerëz të lënduar.
Në ndërkohë, ajo erdhi edhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë për paratë që i ka grumbulluar, në mënyrë që ato të shkojnë në vendin e duhur.
Kështu, ylli shqiptar ka filluar t’i vizitojë familjet e dëmtuara nga tërmetet, ndërsa përmes rrjeteve sociale tregon se do ia rindërtojë shtëpinë familjes Musa.
“Ne jemi duke shkuar në shtëpinë e familjes Musa. Shtëpia e tyre është e pabanuar aktualisht dhe duhet rrënuar që të ndërtohet nga fillimi”, ka shkruar në njërin postim artistja Rexha.
Në një video të ndarë po ashtu në llogarinë e saj personale, Instagram, Bebe publikon pamje brenda shtëpisë, e cila shfaqet tërësisht e dëmtuar e në gjendje të mjerueshme.
Nga ana tjetër, pas arritjes në aeroportin e Rinasit, këngëtarja e famshme ka dhënë një intervistë lidhur me arritjen e saj në vendin amë dhe për planet e të ardhmes. /Telegrafi/