Site icon Telegrafi

Pas arrestimit të ministrit, reagon kryeministri kroat: Nëse Darko Horvat mbahet në burg, ai nuk mund të jetë ministër

Kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkoviq ka mbajtur një konferencë për shtyp lidhur me arrestimin e ministrit të Ministrisë së Ndërtimit, Planifikimit Hapësinor dhe Pronës Shtetërore të Kroacisë, Darko Horvat si dhe hetimet e supozuara ndaj ministrave të tjerë.

Autoritetet policore kanë arrestuar ministrin për shpërdorim të detyrës pasi fillimisht i kishin bastisur shtëpinë në Megjimurje, raporton index.hr.

“Ministri Horvat është arrestuar sot në mëngjes, me sa kuptoj unë shoh që janë ngjarje të vitit 2018, kur ishte ministër i ekonomisë në qeverinë tonë të parë. Përmenden edhe Aladroviq dhe Millosheviq. Ky është tregues se DORH dhe gjyqësori nuk janë nën kontrollin e HDZ-së, por ata padyshim kanë arsyet e tyre për një urgjencë kaq dramatike. Ata do të tregojnë nëse kanë prova të forta. Kjo lëvizje më duket joproporcionale duke pasur parasysh rastin, por jam i sigurt se po punojnë ligjërisht dhe në mënyrë të paanshme, ndaj le ta informojnë opinionin”, tha ai.

Ai gjithashtu pyeti anëtarët e tjerë të qeverisë nëse dikush kishte kontaktuar me ta. “Me sa kuptova dhe i pyeta – askush nuk i kontaktoi”.

“Kjo kohë, pas një jave kaq spektakolare, nuk është neutrale. Ajo vë diçka tjetër në fokus – një ministër po arrestohet për diçka që supozohet se e ka bërë në një kohë tjetër”, tha kryeministri kroat.

Ai pohoi tërthorazi se nuk e ka ndërmend të jap dorëheqje dhe se qeveria është stabile pasi ka marrë përkrahjen e partnerëve të koalicionit.

“Shumica parlamentare është stabile, i kam kontaktuar të gjithë. Janë të gjithë me qeverinë, asgjë e jashtëzakonshme nuk është në rend dite. Do të shohim se çfarë do të ndodhë, nuk kemi më njohuri. Kur të marrim më shumë, atëherë do të marrim vendime”, tha ai.

“Për të korrigjuar keqkuptimet e krijuara, thashë që opozita nuk do të zëvendësojë ministrat e mi, por unë mundem. Unë kam gjithmonë në dispozicion mandatet e të gjithë anëtarëve. Për këtë do të vendos kur të mësojmë më shumë se për çfarë bëhet fjalë”, tha ai.

Lexo po ashtu Arrestohet nën dyshimin për shpërdorim të detyrës ministri kroat, Horvat

Ndërkohë, avokati i ministrit, Vladimir Teresak ka konfirmuar se ishte kryer një kontroll në shtëpinë e ministrit ndërsa qeveritari është arrestuar dhe se do të merret në pyetje në kryeqytetin kroat, Zagreb.

“Unë do të vij në Uskok, ku do të merret ai në pyetje”, pohoi shkurt avokati.

I pyetur se për çfarë akuzohet ministri, avokati tha se bëhet fjalë për shpërdorim detyre, por se nuk di detaje.

Mediat kroate kanë raportuar se kjo është hera e parë që një ministër arrestohet gjersa është pjesëtar i qeverisë pasi që në të kaluarën janë arrestuar pas shkarkimit ose kur kishin poste qeveritare. /Telegrafi/

Exit mobile version