Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan pretendon se ndalimi i dhjetëra personave të dyshuar për spiunazh në llogari të Izraelit është vetëm “hapi i parë” dhe një “përgjigje e qartë për ata që kërcënojnë” Turqinë.
Duke folur në një ngjarje për festimin e 97-vjetorit të Agjencisë Kombëtare të Inteligjencës të Turqisë (MIT), Erdogan tha se MIT-i dhe policia turke “e befasuan seriozisht Izraelin”.
“Organizata jonë e inteligjencës, e cila zbuloi rrjetin izraelit të spiunazhit në vendin tonë, u dha një përgjigje shumë të qartë atyre që na kërcënojnë. Sigurisht, kjo e befasoi seriozisht Izraelin”, theksoi ai.
Gjykata në Stamboll urdhëroi që 15 personat e arrestuar nën dyshimin për spiunazh të mbeten në burg, ndërsa 19 personat e mbetur do të jenë të lirë të presin gjykimin, njoftoi ministri turk i drejtësisë të premten e kaluar.
Rastësisht, të dyshuarit u arrestuan të martën e kaluar për gjoja planifikimin e aktiviteteve që përfshinin “zbulim” dhe “persekutim, sulm dhe rrëmbim” të shtetasve të huaj që jetonin në Turqi.
Marrëdhëniet mes Jerusalemit dhe Ankarasë janë acaruar për shkak të veprimeve të ushtrisë izraelite në Gaza.
Kujtojmë se grupi militant palestinez Hamas nisi një sulm vdekjeprurës ndaj Izraelit më 7 tetor, në të cilin vdiqën 1200 njerëz, gjë që provokoi Izraelin të nisë një luftë kundër Hamasit.
Ndryshe nga aleatët e saj perëndimorë dhe disa vende arabe, Turqia nuk e sheh Hamasin si një organizatë terroriste. /Telegrafi/