Telegrafi

Pas akuzave për ngacmim seksual, Le Graet jep dorëheqjen si president i Federatës Franceze të Futbollit

Presidenti i Federatës Franceze të Futbollit (FFF), Noel Le Graet , dha dorëheqjen të martën pasi u përfshi në një sërë skandalesh, veçanërisht akuza për ngacmim seksual.

Dorëheqja e Le Graet, i cili është 81 vjeç dhe ka qenë në detyrë për 11 vjet, u zbulua nga disa media dhe u zyrtarizua gjatë një takimi të komitetit ekzekutiv të FFF në Paris.

Ish-presidenti ishte hequr nga përgjegjësitë në krye të federatës që prej 11 janarit për shkak të presionit të fortë ndaj tij.

Elementi nxitës atëherë ishte një intervistë me një stacion radioje në të cilën ai tallej me Zinedine Zidanen.

Gjithashtu, më 30 janar u publikua një raport inspektimi i porositur nga Ministria e Sportit për menaxhimin e FFF, duke denoncuar një “atmosferë seksiste dhe të dhunshme” si dhe “mosfunksionime” të tjera dhe, mbi të gjitha, këmbëngul se Le Graet kishte lejuar situata të përkeqësohet.

Lexo po ashtu Fillojnë hetimet ndaj Le Graet për ngacmime seksuale dhe bullizëm

Konkluzioni i atij dokumenti është se ai nuk kishte më “legjitimitetin e nevojshëm për të menaxhuar dhe përfaqësuar futbollin francez”, ndër të tjera për shkak të “një qëndrimi problematik” ndaj grave që “mund të cilësohen të paktën si seksiste”.

Megjithatë, pas dorëheqjes së tij, Le Graet pritet të vërë në dyshim të gjitha këto akuza dhe të nisë një operacion mbrojtës, mediatik dhe ligjor.

Në mënyrë të përkohshme, do të jetë zëvendëspresidenti Philippe Diallo ai që do të qëndrojë në frenat e FFF-së siç ka qenë që nga 11 janari. /Telegrafi/