Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” SH.A. ka sqaruar opinionin publik rreth disa shkrimeve dhe reagimeve të aktivistëve politikë lidhur me vazhdimin e kontratës “Shërbime për Menaxhimin e Parkingjeve”, ku vlera indikative për 36 muajt e ardhshëm është 750,000.00€ (shtatëqind e pesëdhjetë mijë euro).
Sipas një njoftimi për media, ndërmarrja sqaron se kjo nuk është shuma që do t’i paguhet Operatorit Ekonomik, por në bazë të kontratës së nënshkruar, po siç thonë ndërmarrja do t’i paguajë kompanisë 15 % të të hyrave për çdo shërbim që kryen kompania e kontraktuar nga Ndërmarrja.
“Ta zëmë, nëse Operatori Ekonomik kryen shërbime nga të cilat Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” inkason 100€ (njëqind euro), nga kjo shumë 15 % e të hyrave (15€) do t’i marrë kompania e kontraktuar për të kryer shërbimet. Gjithashtu në bazë të kontratës së nënshkruar, Operatori Ekonomik ka për obligim të furnizojë stafin me pajisje elektronike si telefona dhe printer digjital, ndërtimin e një server room, vijëzimin e të gjitha parkingjeve në të gjitha lagjet e Prishtinës, vendosjen e tabelave vertikale, mirëmbajtjen e sistemit, si dhe trajnimin e stafit për përdorimin e sistemit”, thuhet në reagim.
Tutje në reagim sqarojnë se “Është me rëndësi të theksohet se kompania e kontraktuar ka krijuar softuerin dhe tre aplikacione: aplikacioni ku palët paguajnë me sms, aplikacioni për banorët rezident si dhe aplikacioni për smart phone, ku për to është investuar një shumë e konsiderueshme e mjeteve nga kompania e kontraktuar. Prishtina Parking me punën dhe angazhimin e treguar është shndërruar në një Ndërmarrje model në vend, andaj çdo tentim për të prishur imazhin nga informata të pasakta të sponzorizuara që kanë dështuar të implementojnë sisteme të tilla, është i papranueshëm për ne:”.
Ndërkaq, sipas njoftimit për media, Ndërmarrja Publike Lokale “Prishtina Parking” SH.A. ka ftuar mediat dhe qytetarët që për çdo informatë të drejtohen pranë zyreve të Ndërmarrjes dhe të mos publikojnë njëanshëm qëndrime nga individë politik. /Telegrafi/
Ndryshe, grupi i Këshilltarëve Komunal të LVV-së në Kuvendin Komunal të Prishtinës, të enjten kishin reaguar ndaj një kontrate të dyshimtë që Ndërmarrja Publike Komunale “Prishtina Parking” të cilën e ka realizuar me një operator ekonomik.
Sipas tyre, bëhej fjalë për kontratën e titulluar “Shërbime për menaxhimin e parkingjeve”.
Tutje në reagim, LLV kishin thënë se “Fillimisht duhet thënë se ka qenë krejt e panevojshme që një kontratë e tillë të bëhet në formën si ka ndodhur. Nuk ka pas asnjë emergjencë që e njëjta të bëhet me procedure të negociuar dhe pa publikim të njoftimit të kontratës”.
“Më e rëndësishme dhe më emergjente, për qytetin dhe qytetarët, është miratimi i Rregullores se re të ‘Prishtina Parking’ që do ta përcakton mënyrën e operimit, se sa tenderët dhe kontratat e dyshimta që i realizon kjo ndërmarrje. Çështje në vete është vlera e kontratës. 750.000.00 euro është shuma e përcaktuar apo e negociuar në mes të “Prishtina Parking” dhe OE. Sipas njohësve të fushës, vlera reale e aplikacionit, që është objekt i kontratës, është shumëfish herë më e vogël”, thanë nga LVV.
Ata po ashtu përmes reagimit të tyre kishin ftuar organet kompetente që t’i fillojnë hetimet për këtë keqpërdorim dhe abuzim të fondeve publike.
Ndërkaq, në lidhje me këtë kishte reaguar edhe nënkryetarja e Komunës së Prishtinës nga Partia Demokratike e Kosovës, Donjeta Sahatçiu, ka reaguar pas raportimeve lidhur me kontratën 750,000 euro të NPL Prishtina Parking për “Shërbime softuerike”, të cilin e quajti lajm tendencioz dhe qesharak.
“Lajmi tendencioz për asocimin e kontratës nën dyshime me qeverisjen e PDK-së në Prishtinë, të udhëhequr nga unë është qesharak”, kishte thënë ajo në reagimin e saj. /Telegrafi/