Site icon Telegrafi

Pas 31 tetorit targat ‘KM’, “PR”… nuk kalojnë në Kosovë

Pronarët e makinave me targa që i lëshojnë autoritetet serbe, nuk do të mund të qarkullojnë në territorin e Kosovës, e as të kalojnë kufirin pas 31 tetorit.

Kjo është data kur kalon afati i vendosur nga Qeveria e Kosovës për riregjistrimin e këtyre makinave në RKS – Republika e Kosovës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Kosovës konfirmoi për Radion Evropa e Lirë se makinat me targat që i lëshon Serbia – që përmbajnë akronime serbe të qyteteve të Kosovës, si: KM, PR, PZ, GL etj. – do të konsiderohen të paregjistruara pas 31 tetorit.

Si është duke shkuar procesi i riregjistrimit?

Nga gjithsej 10.000 vetura me targa të tilla – aq sa llogaritet të jenë, të dhënat e Ministrisë së Brendshme të Kosovës tregojnë se vetëm pesë i kanë bërë targat RKS. Periudha dymujore për riregjistrim ka nisur më 1 shtator.

Prej tyre, dy automjete janë riregjistruar në dy komuna me shumicë serbe në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut dhe Leposaviq, dhe nga një në Prizren, Dragash dhe Gjilan.

“Kërcënimi” i serbëve që vendosin t’i riregjistrojnë makinat

Nga 1 shtatori, kur ka filluar procesi i riregjistrimit, janë shënuar dy raste të djegies së veturave me targa RKS, konfirmoi zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Besim Hoti.

Ai tha se nuk e sheh riregjistrimin e makinave si të vetmin motiv për zjarrvënie.

“Mund të qëndrojë edhe diçka tjetër prapa kësaj dhe targat mund të mos jenë shkaku i vetëm. Kjo [vetura] e fundit që është djegur, ka qenë e regjistruar edhe vitin e kaluar [me targa RKS]. Hetimet janë duke u zhvilluar për zjarrvënie të qëllimshme dhe dëmtim të pronës. Janë raste që zakonisht shkojnë në pako dhe zhvillohen hetimet për to”, tha Hoti.

Ai shtoi se pronarët e dy veturave me targa RKS, të djegura gjatë muajit shtator, janë pjesëtarë të komunitetit serb.

Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, tha më 19 shtator se presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po vazhdon frikësimin e serbëve të Kosovës.

Sipas tij, Vuçiq mbështet “strukturat ilegale serbe” për djegien e veturave me targa RKS.

“Të dyja rastet janë ftesë e hapur për t’i luftuar institucionet e Republikës së Kosovës. I bëjmë thirrje Vuçiqit që të ndalojë së mbështeturi strukturat ilegale kriminale me aktet e tyre të dhunshme dhe terroriste ndaj qytetarëve besnikë të Republikës së Kosovës”, shkroi Sveçla në Facebook.

Ai, po ashtu, tha se asnjë “veprim kriminal i Vuçiqit” nuk do të tolerohet.

Targat që i lëshon Serbia, deri më tani, janë toleruar në komunat në veri të Kosovës, që janë të banuara me shumicë serbe, por në jug janë hequr dhjetë vjet më parë, në bazë të një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për lirinë e lëvizjes.

Procesi i riregjistrimit të automjeteve ka filluar një muaj më vonë seç ishte planifikuar, pasi disa serbë lokalë, në shenjë pakënaqësie, janë rebeluar dhe kanë ngritur barrikada në rrugët në veri, në fund të korrikut.

Në këto veprime, ata janë mbështetur edhe nga Lista Serbe – partia më e madhe politike e serbëve të Kosovës, e cila vetë gëzon mbështetje nga Beogradi.

Kryetari i kësaj partie, Goran Rakiq, njëherësh ministër për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, ka thënë se barrikadat kanë qenë “reagim dhe jo veprim”.

Qëndrimi i Beogradit

Beogradi pret negociata për çështjen e riregjistrimit të makinave, por Prishtina refuzon.

Radio Evropa e Lirë iu drejtua Presidencës së Serbisë dhe Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë me kërkesën për t’iu përgjigjur akuzave të autoriteteve të Kosovës se Beogradi mbështet “frikësimin” e serbëve në veri, por nuk mori përgjigje.

Më 13 shtator, gjatë diskutimeve në Kuvendin e Serbisë për dialogun me Kosovën, presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, tha se vendi i tij nuk është duke krijuar “kriza artificiale”, por akuzoi Qeverinë e Kosovës për një gjë të tillë.

“Rreziku është afër dhe serioz. Serbia, në asnjë mënyrë, nuk ka marrë pjesë në gjenerimin e krizës. Ne ishim dhe mbetemi vazhdimisht të përkushtuar për dialog”, tha Vuçiq.

Ai po ashtu tha se nuk beson në “asnjë marrëveshje” me Qeverinë aktuale të Kosovës.

“Jemi përballë sfidave të mëdha të sigurisë”, tha ai.

Çfarë thonë qytetarët në veri?

Ivani, nga Mitrovica e Veriut, thotë se beson që informacionet për djegien e veturave, mund të shkaktojnë frikë te qytetarët në veri.

“Mendoj se qytetarët tashmë mund të jenë të frikësuar… dhe aktualisht janë duke menduar nëse duhet t’i riregjistrojnë veturat e tyre”, thotë Ivani.

Bashkëqytetari i tij, Goran Ostojiq, thotë se këto incidente nuk mund të ndikojnë në vendimin e qytetarëve për t’i riregjistruar makinat ose jo.

Sipas tij, çështja është politizuar dhe dëmi më i madh bie mbi qytetarët.

“Qytetarët duhet të jetojnë në mënyrë normale, kurse politikanët paguhen për të gjetur zgjidhje”, thotë Gorani.

Qytetarët e anketuar në Mitrovicë të Veriut janë të ndarë në mendime sa i përket riregjistrimit të automjeteve me targa RKS.

Gorani thotë se, në parim, nuk do të ngasë veturë me targa të Kosovës, por beson se Prishtina dhe Beogradi, në fund, do të arrijnë deri te një zgjidhje.

“Unë mendoj se njerëzit ndoshta do t’i riregjistrojnë automjetet nën presionin e Beogradit dhe Prishtinës së bashku”, thotë Gorani.

Sipas tij, suksesi i procesit të riregjistrimit të automjeteve do të varet nga “qëndrimi dhe politika e Beogradit”.

Zorani thotë se, sipas të gjitha gjasave, do ta riregjistrojë veturën, sepse më herët ka paguar një gjobë prej 550 eurosh për ngasjen e një automjeti me targa KM.

“Duhet ta riregjistroj një ditë veturën. Ndodh që një ditë, ju nuk do të mund ta riregjistroni veturën në RKS dhe nuk mund ta vozitni këtu… atëherë duhet të paguajmë doganën, kush do ta paguajë, Serbia?”, pyet Zorani.

Markoviq: Njerëzit janë të hutuar, nuk dinë çfarë të bëjnë

Igor Markoviq, nga organizata joqeveritare “Aktiv” në Mitrovicë të Veriut, vlerëson se procesi i riregjistrimit është “i prirë të dështojë”, marrë parasysh se ka mbetur edhe pak më shumë se një muaj kohë për riregjistrimin e rreth 10.000 automjeteve.

Sipas tij, qytetarët e thjeshtë janë konfuzë, sepse “ka presione nga të dyja anët”, dhe ata “nuk dinë çfarë të bëjnë dhe as kë të dëgjojnë”.

“Është e qartë se kjo situatë me targat është në dobi të elitës aktuale politike në Prishtinë, por edhe në Beograd… Numri i vogël [i makinave të riregjistruara] nuk është vetëm pasojë e presioneve nga Beogradi, të cilat ekzistojnë, por në masë të madhe pasqyron edhe faktin se qytetarët janë të hutuar… dhe, në fund të fundit, nuk duan t’i riregjistrojnë, të paktën jo në këtë mënyrë”, thotë Markoviq.

Markoviq shton se autoritetet e Kosovës, para se të fillonin procesin e riregjistrimit, është dashur të mbajnë disa takime me popullatën lokale, për të gjetur një lloj zgjidhjeje.

“Për pasojë, pas datës 31 tetor, do të frikësohemi nga retorika nacionaliste e Beogradit dhe Prishtinës… dhe nëse do të luftohet sërish. E gjithë kjo është barrë mbi qytetarët”, thotë Markoviq.

NATO-ja e gatshme të reagojë

Zëvendëskomandanti i KFOR-it në Kosovë, Luca Piperni, tha se NATO-ja është e gatshme të rrisë numrin e ushtarëve nëse ka rritje të tensioneve, për shkak të zbatimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa serbe.

“Ne jemi vigjilentë dhe të gatshëm për të vepruar… Nëse kemi rritje të tensioneve, mund të rrisim edhe numrin e forcave rezervë… Mund ta marrim këtë vendim brenda një kohe të shkurtër”, tha Piperni, zëvendëskomandant i misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR.

Ai tha se situata, aktualisht, është e qetë, por e brishtë, andaj NATO-ja nuk e përjashton mundësinë e tensioneve të reja apo të dhunës, kur të skadojë afati për riregjistrimin e veturave, më 31 tetor.

Të mërkurën, NATO dërgoi disa trupa rezervë të misionit KFOR për stërvitje në Kosovë. Komandanti rajonal i KFOR-it, koloneli Christopher Samulski, tha se ato janë pjesë e “planifikimeve normale”.
Pas tensioneve në fund të korrikut, ndërmjetësuesit evropianë dhe amerikanë kanë intensifikuar bisedimet me zyrtarët kosovarë dhe serbë, me qëllim “parandalimin e përshkallëzimit të situatës”.

Pas vizitave të të dërguarit të posaçëm të Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak, Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për letërnjoftimet, duke anuluar lëshimin e dokumenteve të posaçme për hyrje/dalje.

Javën e kaluar, Lajçak, gjatë një vizite të paparalajmëruar në Prishtinë, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, për “një dinamikë të re në procesin e dialogut” me Serbinë, me qëllim të arritjes së përparimit në këtë proces.

Kosova dhe Serbia negociojnë për normalizimin e marrëdhënieve që nga viti 2011. Ato kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, por zbatimi i tyre në praktikë ka ngecur. /rel/

Exit mobile version