Site icon Telegrafi

‘Partygate’: John Stevenson dorëzon nënshkrimin për mocionin e mosbesimit ndaj Johnson – bëhet deputeti i 28-të konservator që kërkon largimin e kryeministrit

Edhe një deputet konservator ka dërguar nënshkrimin për mocionin e mosbesimit ndaj kryeministrit britanik Boris Johnson, duke u bërë deputeti i 28-të nga ana e konservatorëve që kërkon largimin e tij pasi që ai u përfshi në skandalin e “Partygate”.

John Stevenson, anëtar i parlamentit nga regjioni i Carlisle, tha se ndihet “shumë i dëshpëruar” me reagimin e Johnson ndaj parlamentit lidhur me skandalin dhe me festat që u organizuan në kryeministri, organizime me të cilat u shkel ligji.

Ai tha se i bëri thirrje kryeministrit që ta paraqes veten për një votëbesim ndaj tij, në mënyrë që ta “tërheq një vijë” në lidhje me këtë çështje, por thotë se Johnson nuk ka dëshirë që ta bëjë këtë, kështu që thotë se “e ka marrë një vendim të duhur” kur e dha nënshkrimin që të zhvillohet seanca parlamentare për votëbesimin ndaj Boris Johnson, transmeton Telegrafi.

“Vazhdimi i kritikave, zbulimeve të reja dhe pyetjeve në lidhje me skandalin po e dobësojnë qeverinë në një periudhë kur do duhej të adresoheshin çështje të tjera kritike dhe madhore”, shtoi tutje Stevenson.

Politikani britanik që me profesion është edhe avokat, u bë anëtarë i parlamentit në vitin 2010 dhe shihet si një njeri i matur brenda Partisë Konservatore.

Nënshkrimet në lidhje me mocionin e mosbesimit ndaj Johnson, dërgohen tek Sir Graham Brady, kryetar i Komitetit të Anëtarëve Privat të Konservatorëve.

Në total nevojiten 54 nënshkrime – apo 15 për qind e votave të deputetëve nga ana e konservatorëve nevojiten që të bëhet votimi i ndryshimit të lidershipit, dhe vetëm Sir Graham Brady është në dijeni se sa nënshkrime janë dorëzuar tek ai. /Telegrafi/

Exit mobile version