Gjasat janë të vogla që në Maqedoni të ketë zgjedhje në qershor apo korrik.
Deklaratat e liderëve partiakë janë kontradiktore, në njërën anë thonë se duan zgjedhje ndërsa në anën tjetër thonë se momentalisht nuk është koha për zgjedhje. Qëndrime të ndryshme kanë edhe për procesin politik në shtet, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Takimin i liderëve, që është me kërkesë të OBRM-PDUKM-së, presidenti Pendarovski e paralajmëroi në gjysmën e parë të muajit maj, ndërsa nga LSDM menjëherë u deklaruan se nuk është koha për zgjedhje. Mickoski thotë se arsyeja kryesore pse kërkoi takim liderësh nuk janë zgjedhjet, por iniciativa e LSDM-së për ta thirrë përsëri Kuvendin, që sipas tij, është një precedent serioz dhe shkel në mënyrë të drejtpërdrejtë Kushtetutën.
Nga LSDM nuk heqin dorë, ata edhe sot i thanë kreu të Kuvendit, Talat Xhaferi se duhet t’i thërrasë deputetët, po ai tashmë katër ditë nuk është prononcuar.
Kreu i KSHZ-së, Oliver Derkoski në anën tjetër thotë se Xhaferi është ai që duhet t’i shpall zgjedhjet, por së pari duhet të anulohet vendimi i mëhershëm për zgjedhje nga Gjykata Kushtetuese.
Nga BDI thonë se çdo vendim duhet të merret me konsensus për shkak se edhe caktimi i datës, Qeveria teknike, shpërndarja e Kuvendit dhe anulimi i zgjedhjeve janë vendime me konsensus.