Telegrafi

Partitë opozitare skeptike për reciprocitetin

Nesër pritet që të hiqet tërësisht tarifa ndaj produkteve serbe e boshnjake për t’u zëvendësuar me reciprocitet.

Partitë opozitare janë skeptike se sa mund të ndodh reciprociteti me shtetin serb.

Zëvendëskryeministri Haki Abazi thotë se janë duke punuar në këtë drejtim dhe se do të dalin me njoftim zyrtar.

Dy partitë opozitare PDK dhe AAK janë shprehur skeptike për këtë vendim.

“Një Prilli njihet në popull si dita e gënjeshtrave. Pra taksën e ka largua dhe më nuk ka nevojë të gënjen. S’ka taksë, mos të gënjejë. Reciprocitet nuk ka vendos asnjëherë. Kemi mjaft marrëveshje të shkruara që nuk janë zbatuar asnjëherë prej Serbisë. Çfarë reciprociteti mund të vendosësh ndaj Serbisë kur ajo në preambulë e ka Kosovën si pjesë të saj”, deklaroi për RTV Dukagjinin, deputetja e AAK-së Teuta Haxhiu.

Ndërsa deputeti tjetër opozitarë Mërgim Lushtaku thotë se menaxhimi i reciprocitetit ndaj Serbisë do të jetë shumë i vështirë.

“Ma mirë do të ishte nëse do të largohej taksa nga fillimi i qeverisjes se të bëhet një lojë politike. Nuk kemi akoma një produkt se si do të jetë reciprociteti në përmbajtje”.

Tarifën 100% e kishte vendosur qeveria e drejtuar nga Ramush Haradinaj, ndërsa Albin Kurti ka larguar taksën për lëndën e parë nga Serbia dhe Bosnja me 20 mars të këtij viti./Telegrafi/