Site icon Telegrafi

Partitë nuk arrijnë të formojnë qeverinë, Bullgaria drejt zgjedhjeve të reja

Partia bullgare “Ka një popull të tillë” (ITN) ia ktheu mandatin për të formuar një qeveri presidentit Rumen Radev, pasi dështoi të ndërtonte një koalicion të qëndrueshëm duke e vënë vendin në rrugën e zgjedhjeve të shtata legjislative në tre vjet.

Bëhet e ditur se ITN-së, e cila doli e gjashta në zgjedhjet e 8 qershorit me vetëm 16 vende në parlamentin me 240 vende, iu ofrua mandati më 29 korrik pasi qendra e djathtë GERB dhe “Ne Vazhdojmë Ndryshimin” (PP) nuk arritën të formojnë një qeveri.

“Kemi zbuluar se nuk kemi qëllime të përbashkëta. Kështu që ne e kthejmë mandatin e paplotësuar”, tha kreu i ITN, Toshko Iordanov.

Siç raportohet, Radev tani duhet të emërojë një kryeministër të përkohshëm dhe brenda dy muajve duhet të thërrasë një votim të parakohshëm, shkruan Reuters, përcjell Telegrafi.

“Spiralja e zgjedhjeve jopërfundimtare vazhdon dhe ajo jo vetëm që shkakton acarim, por gjithashtu zhbllokon një sërë procesesh shkatërruese”, tha Radev.

Ndryshe, Bullgaria, anëtari më i varfër i Bashkimit Evropian dhe një nga shtetet e tij më të korruptuara, është “rrënuar” nga qeveritë që nga protestat kundër korrupsionit në vitin 2020 që ndihmuan në rrëzimin e një koalicioni të udhëhequr nga GERB.

Zgjedhjet e qershorit u shkaktuan nga kolapsi i një koalicioni të përbërë nga GERB, i cili kishte mbajtur pushtetin për pjesën më të madhe të 15 viteve të mëparshme, si dhe partinë PP.

Partia GERB doli e para në votimin e qershorit, duke fituar 68 vende, ndërsa partia PP siguroi 39 të tilla.

Të dyja janë gjerësisht pro BE-së dhe pro tregut, por ato janë të ndjekura nga grindje të vazhdueshme dhe rivalitete personale.

Bullgaria, gjithashtu një anëtare e NATO-s, ka nevojë për një periudhë qeverisjeje të qëndrueshme për të përshpejtuar rrjedhën e fondeve të BE-së në infrastrukturën e saj. /Telegrafi/

Exit mobile version